Shpërthimi nga bombola e gazit, anëtarët e familjes Gjoka kanë djegie të rënda në trup
Situata shëndetësore e katër anëtarëve të familjes Gjoka që mbetën të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit sot në Velipojë, paraqitet e rëndë.
Sipas mjekëve të spitalit të djegies plastikës, nëna me tre fëmijët e saj janë në rrezik për jetë.
Tre fëmijët, Klarisa, 15 vjeçare, Danjela, 18 vjeçare dhe Enriko 12 vjeçar kanë djegie në masën 80-90 % të trupit, ndërsa e ëma e tyre, Alketa 40 vjeçe ka djegie në shkallën 60%, shkruan oranews.
“Paraditen e sotme pranë Shërbimit të Djegie Plastikës janë parqitur pacientët A.Gj mosha 40 vjeç, D. Gj mosha 19 vjeç, K. Gj mosha 15 vjeç dhe E. Gj mosha 11 vjeç . Pas konsultës së parë mjekësore është konstatuar se pacientët kanë djegie të rënda në trup.Aktualisht janë duke u trajtuar me mjekim intensiv dhe në ndjekje të vazhdueshme nga stafi mjekësor”, u bë e ditur në njoftimin për media të spitalit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 06:45, në fshatin Pulaj-Plazhë, rruga Nr.5, Velipojë, Shkodër.
“Në një hotel tre katësh ka shpërthyer një bombol gazi, ku si pasojë janë dëmtuar shtetasit A. Gj. 40 vjeçe, D. Gj. 19 vjeçe, K. Gj. 15 vjeçe, dhe E. Gj. 12 vjeç, të cilët u dërguan për ndihmë mjeksore më të specializuar në Spitalin e Traumës Tiranë” njoftoi policia.