Shpronësimet në veri, “përplasje tjetër” e Kosovës me faktorin ndërkombëtar

Shpronësimet në veri të vendit, shkaktuan një përplasje të re të Qeverisë së Kosovës me faktorin ndërkombëtar.

Përplasja nisi pas deklaratës së përbashkët të QUINT-it, BE-së dhe OSBE-së se qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e saj për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit, deklaratë e cila sipas qeverisë konstaton në mënyrë të gabuar gjendjen faktike dhe bën vlerësim ligjor të pabazuar në argumente.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, vlerëson se përplasja e re e qeverisë me faktorin ndërkombëtar për shpronësimet në veri të vendit do ta thellojë edhe më shumë hendekun e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare. Sipas tij, pa një marrëdhënie të mirë me aleatët Kosova nuk do të mund të ketë asnjë përparim.

“Kjo përplasje ka dy aspekte: ligjor dhe politik. Sa i përket aspektit ligjor pozicionet janë diametralisht të kundërta qeveria thotë se ka respektuar të gjitha procedurat derisa QUNIT-i ..janë ardhë në përfundim se ka pasur shkelje te ligjeve dhe të frymës së pakos së Ahtisarit. Në aspektin politik kjo përplasje vetëm sa e rritë hendekun edhe më shumë mes Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare …shtimi edhe i një problemi tjetër vetëm sa do ta përkeqësojë më shumë këtë raport dhe është tejet negativ për perspektivën evropiane të Kosovës. Jo vetëm që nuk u nxor mësim nga dështimi për anëtarësim në KIE por edhe kokëfortësia u forcua është më e fuqishme dhe duket se këto kundërshtimet mes qeverisë dhe bashkësisë ndërkombëtare QUINT-it janë shndrruar në një trend që është i pakuptueshëm sepse pa një marrëdhënie të mirë të Kosovës me aleatët s’do të ketë asnjë përparim mirëpo ky është”, tha Muhaxhiri për rtv21.

Ish-diplomati Blerim Canaj, ndërkaq, vlerëson se përplasja e qeverisë me faktorin ndërkombëtar për shpronësimet në veri është përpjekje për t’u shfajësuar për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Sipas tij, kjo qeveri tashmë ka ftohur raportet me aleatët, për të cilat duhen vite për t’u rikthyer siç kanë qenë.

“Qeveria tani po përpiqet që ta hedh fajin diku tjetër …Për shkak të shancës se humbur që Kosova të bëjë nëj draft-statut të saj faktikisht duket se qeveria ka humbur një far beteje dhe tani dëshiron të gjejë një fajtor siç është e zakonshme..po e shohim që qeveria i ka të ftohura raportet me aleatët … duket se edhe aleatët po bëjnë presion me të madh nga frika e mosmbajtjes së fjalës nga qeveria”, tha Canaj.

Qeveria e Kosovës ka filluar procesin e shpronësimit në komunën e Leposaviqit dhe atë të Zubin Potokut në mes të janarit të vitit 2023, kur disa toka atje i ka shpallur “pasuri të paluajtshme me interes të veçantë publik – të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”.

Bazuar në vendimin paraprak të Qeverisë, sipërfaqja e përgjithshme e shpronësimit të planifikuar atëkohë ka qenë rreth 104 hektarë në Leposaviq dhe rreth 33 hektarë në Zubin Potok.

Në vendimin përfundimtar të Qeverisë së Kosovës të 30 majit thuhet se në Leposaviq do të shpronësohen 96 hektarë, që do të thotë tetë hektarë më pak.

Në zonën e shpronësuar është planifikuar ndërtimi i një stacioni policor./RTV21/21Media

Back to top button