Shqipëri, arrestohen 43 shoferë

Policia e Shtetit vijon kontrollet dhe monitorimet me radarë, dronë e kamera në akset rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore në Shqipëri.
Si rezultat e këtij monitorimi vetëm gjatë fundjavës janë arrestuar 43 shoferë, janë konstatuar drejtues mjetesh që qarkullonin me 186 km në orë.
Po ashtu, policia bën me dije se janë pezulluar 186 patentë shoferi dhe janë vendosur 4981 gjoba për shkelje të rregullave për qarkullimin rrugore.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara, gjatë fundjavës në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 43 drejtues mjetesh, nga të cilët 17 për drejtim mjeti pa patentë shoferi dhe 26 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Gjatë fundjavës në të gjitha akset rrugore që monitorohen me radarë, pavarësisht fluksit shumë të lartë të automjeteve, janë konstatuar shumë drejtues mjetesh, qoftë ditën ashtu edhe natën që qarkullonin me shpejtësi shumë të lartë, deri në 186 km/h në Bypass të Fierit dhe 185 km/h natën në Sauk-Teg në Tiranë. Si dhe nga monitorimi me dragera janë konstatuar shumë drejtues mjetesh nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur në masë të madhe të prezencës së alkoolit në gjak.
Në këtë kuadër janë pezulluar 186 leje drejtimi, nga të cilat 125 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 55 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 6 për qarkullim në sens të kundërt.
Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 4981 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Policia Rrugore apeloi drejtuesit e automjeteve që të respektojnë sinjalistikën rrugore, të mos kryejnë parakalime të gabuara dhe të qëndrojnë në radhë ku lëvizja është e ngadaltë për shkak të fluksit të lartë, pasi në të gjitha rrugët e vendit ka prezencë të Policisë Rrugore, të pajisur edhe me dronë, dragera, kamera dhe aparate fotografike.

Back to top button