Shqipëria fillon stërvitjet

Shqipëria ka zhvilluar sot një seancë stërvitore nën drejtimin e trajnerit Edoardo Reja në ambientet e kompleksit Tropikal në Durrës në kuadër të përgatitjeve për dy sfidat e fundit të Ligës së Kombeve ndaj Izraelit dhe Islandës.
Në këtë seancë kanë marrë pjesë shumica e lojtarëve të ftuar nga tekniku, ndërkohë që grupi kompletohet plotësisht në mbrëmje, kur mbërrijnë edhe lojtarët e fundit në grumbullim.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se dy mesfushorët Keidi Bare dhe Endri Çekiçi nuk do të jenë të gatshëm për dy ndeshjen zyrtare për shkaqe dëmtimesh. Dy lojtarët kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me stafin mjekësor dhe pas testeve mjekësore është dalë në konkluzion se e kanë të pamundur të rikuperohen në kohë nga dëmtimet e pësuara.
Në këto kushte tekniku Reja ka vendosur të ftojë dy mesfushorët që ishin në listën e pritjes, Enis Çokaj dhe Arbnor Muçolli, të cilët janë bashkuar me ekipin në grumbullim.
Ndërkaq, probleme muskulore ka shfaqur edhe sulmuesi Myrto Uzuni, i cili i është nënshtruar testeve të vazhdueshme me stafin mjekësor kuqezi dhe nevojiten dy ose tre ditë për të parë kohët e rikuperimit dhe për të parë nëse do të jetë i gatshëm në kohë për dy sfidat.

Back to top button