Shqipëria mposhtet nga Polonia

 
Ka përfunduar ndeshja mes Kombëtares së Polonisë dhe asaj të Shqipërisë, ku pas 90’ minutave lojë të zhvilluar, vendasit kanë arritur të sigurojnë tre pikët e plota.
Polonia siguroi fitore të thellë kundër Shqipërisë me rezultat 4:1 si vendase në stadiumin “National Warsawa”.
Fillimisht, ishte ylli i Bayern Munich Robert Lewandowski ai cili e zhbllokoi rezultatin i pari, duke e kaluar Poloninë në epërsi në minutën e 12’.
Shqipëria u kundërpërgjigj me sulmuesin Sokol Cikalleshi, i cili e shënoi golin e barazimit në minutën e 25’. Ndërsa, pak minuta para përfundimit të pjesës së parë, saktësisht në minutën e 44’, Polonia sërish kalon në epërsi përmes golit të Buksa.
Pjesën e dytë e filloi furishëm përsëri Polonia, ku Krychoëiak shënoi në minutën 54’ për ta thelluar rezultatin në 3:1, kurse golin e fundit që e vulosi fitoren e polakëve e shënoi Linetty në minutën e 89’.
Me tre pikët e reja, Polonia ngjitet në pozitën e dytë të Grupit I në kuotën e shtatë pikëve, pesë sosh më pak se Anglia që zë vendin e parë.
Në anën tjetër, Shqipëria zbret nga pozita e tretë tek ajo e katërt, ku nga katër ndeshje ka arritur të arkëtojë gjashtë pikë, një më pak se Hungaria dhe Polonia në vendet dy dhe tre në tabelë.
Rezultati përfundimtar i ndeshjes mes Polonisë dhe Shqipërisë është 4:1 në favor të vendasve.

Back to top button