”Shtatori ngjarja më tragjike e drejtuar ndaj simbolit të lirisë”

 

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se sulmet e 11 shtatorit kishin për cak të godasin jo vetëm ShBA-të por mbarë njerëzimin.

“Sulmet terroriste të 11 shtatorit mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbeten ndër ngjarjet më të tmerrshme, që për cak kishin të godasin jo vetëm popullin, institucionet dhe demokracinë amerikane, por mbarë njerëzimin”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se shtatori mbetet si ngjarja më tragjike e drejtuar ndaj simbolit të lirisë dhe investuesit historik për paqe e siguri në mbarë botën

“Shtatori mbetet në kujtesën tonë si ngjarja më tragjike e drejtuar ndaj simbolit të lirisë dhe investuesit historik për paqe e siguri në mbarë botën. Sot, nëntëmbëdhjetë vite më pas, Shtetet e Bashkuara së bashku me aleatët e saj, duke përfshirë edhe shqiptarët, arritën të ngadhënjejnë ndaj të keqes, me synim një botë të qetë e të sigurt për brezat e rinj”, është shprehur Haradinaj.

Tutje Haradinaj ka thënë se populli i Kosovës është përjetë mirënjohës ndaj popullit dhe institucioneve amerikane për ndihmën e dhënë.

“Populli dhe shteti i Kosovës, janë përjetë mirënjohës ndaj popullit dhe institucioneve amerikane për ndihmën e dhënë në çdo epokë të historisë sonë. Ishim dhe do të jemi përherë krah Amerikës në rrugën e avancimit të demokracisë dhe paqes në botë. Përgjithmonë bashkëndjejmë me familjet që humbën të afërmit e tyre në këtë tragjedi. Kosova kujton!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. /21Media 

Back to top button