Shtohet numri i monedhave 2 euro false, ndërmarrjet komunale në hall

Monedhat false vijojnë të qarkullojnë në Kosovë ndërsa trendi rritës konfirmohet edhe nga autoritetet shtetërore. Monedha metalike prej 2 euro mbetet më e falsifikuara ndërsa nga kartëmonedhat është prerja prej 50 euro. Ndërmarrja publike që ka të bëjë me para të imëta si “Prishtina Parking” ka marr masa drastike për të shmangur humbjet financiare, ndërsa në hall janë edhe te “Trafiku Urban”.

Eksperti i dokumenteve dhe dorëshkrimeve pranë Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Feriz Selimaj, deklaron për KosovaPress se për monedhat metalike prej 2 euro, duke krahasuar periudhën janar-qershor 2022 me 2023, këtë vit ka dyfishim të numrit të kësaj monedhe të falsifikuar.

Sa i përket kartëmonedhave, në periudhën janar-qershor 2022 më e falsifikuar ka qenë prerja prej 100 euro të cilat kanë qenë 235 copë, ndërsa për gjashtë muajt e parë të këtij viti është prerja prej 50 euro me 1230 copë.

Ndërsa, në lidhje me monedhat metalike, për periudhën janar-qershor 2022, Selimaj thotë se monedha 2 euro e falsifikuar ka qenë 4451 copë ndërsa këtë vit numri i monedhave metalike të falsifikuara është dyfishuar.

“Për periudhën 1 janar deri 30 qershor 2023, është kjo, kemi pasur 322 raste me gjithsej 2412 dëshmi dhe nga kjo rezulton se kartëmonedhat apo numri më i madh i kartëmonedhës është në vlerë 50 euro që është numri 1230 copë, d.m.th siç po e vëreni është numri në rritje, kemi pasur numër të dëshmive në rritje, kurse monedhat metalike gjendja është kjo kemi 61 raste me gjithsej 14,204 dëshmi vitin e kaluar kemi pasur 6538 janar-qershor kurse tash kemi 14,200 që i bie dyfishi më shumë”, tha Selimaj.

Ndërmarrja komunale e Prishtinës “Prishtina Parking”, që ofron shërbimet e parkingut në kryeqytet, ka kohë që nuk është duke pranuar monedhat metalike prej 2 euro.

Ky vendim ishte kritikuar nga qytetarët por që për kryeshefin, Sokol Havolli, i shpëton kësaj ndërmarrjeje deri në 50 mijë euro në vit. Ai kërkon nga institucionet që kjo çështje të trajtohet me seriozitet.

“Natyrisht ky ka qenë një problem substancial i ndërmarrjes edhe për punonjësit tonë sepse është vlerësuar që kostoja për mbi 50,000 mijë euro humbje për ndërmarrjen nëse vazhdojmë pranimin e asaj valute, kështu që ndalimi ka qenë një lloj situate e imponuar, përkundër kritikave të publikut vazhdoj konsideroj se ka qenë vendimi i duhur… 12:23 Rregullat ekzistojnë se si trajtohet kjo dhe si shkatërrohet kjo por përderisa një çështje e tillë nuk është incident por është fenomen, kjo takon një qasje më gjithëpërfshirëse por jo vetëm një reagim prej një ndërmarrje ‘Prishtina parking’”, deklaroi Havolli.

Edhe ndërmarrja “Trafiku Urban”, që ofron shërbimet e transportit publik në Prishtinë, është në hall të madh me paratë false.

Kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje, Burim Maraj, kërkon nga institucionet që të gjendet një zgjidhje pasi është duke ndikuar në financa. Ai thotë se punonjësit e kanë të vështirë të detektojnë monedhën 2 euro të falsifikuar.

“Është një situatë e pavolitshme por edhe e pafavorshme për ndërmarrjen, por sipas ligjeve në fuqi ne nuk mundemi të ndalojmë monedhën 2 euro gjë e cila na afekton edhe neve në ndërmarrje në financa, është problematik që nuk e kemi vetëm ne por edhe ndërmarrjet e tjera edhe njerëzit e tjerë, po besoj që është një problematik që të merren në nivele më të larta dhe sa më shpejt të gjendet një zgjidhje. Unë kam kërkuar zgjidhje edhe prej institucioneve të tjera, kam biseduar edhe me kolegët e mi në ndërmarrje të tjera, por nuk ka asnjë zgjidhje, shpresoj që të gjendet një zgjedhje përndryshe financat ndikohen. Kemi çdo ditë probleme, hasim në problem kondukerët ata e kanë problem të detektojnë 2 euro mirëpo kur vijnë dhe shkojnë në bankë të dorëzojnë pazarin del që ka problem”, thotë Maraj.

Havolli, që dikur ka shërbyer si ish-guvernator i Bankës Qendrore (BQK), propozon masa radikale në lidhje me monedhën 2 euro, duke kërkuar që të hiqet tërësisht nga tregu për një periudhë të caktuar kohore.

“Personalisht mendoj që për një periudhë të caktuar kohore 6 muajsh apo kështu me radhë do duhej të bëhej tërheqja komplet e monedhës 2 euro nga tregu. Ky operacion është i kushtueshëm edhe shumë i madh por është e nevojshme që të kthehet besimi i qytetarëve në valutën zyrtare e cila përdoret sepse nëse sot e kemi valutën 2 euro çka nëse në ditët në vijim kthehet një monedhë tjetër kjo cenon integritetin në masë të konsiderueshme prandaj kjo nuk është zgjidhja adekuate mirëpo masa duhet të jete radikale sepse tregu është i stërmbushur dhe duhet dikush të bëjë pastrimin e tregut nga paraja e falsifikuar”, shtoi Havolli.

Ndërsa, Maraj thotë se janë duke kërkuar mënyra alternative të pagesave, përfshirë edhe ato me operatorët telefonikë, në mënyrë që të ketë sa më pak qarkullim me para të vogla.

“Jemi në bashkëpunim me Valën, Ipkon, besoj që shumë shpejt do të bëjmë që përmes telefonave të bëhen pagesat, kjo mundet me e zbutë pak se secili udhëtar me e ble biletën ditore apo mujore përmes telefonatave, me e zbutë problematikën”, është shprehur Maraj.

Ndërsa, eksperti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Selimaj, këshillon qytetarët që të paguajnë me shumë me kartela bankare dhe sa më pak me “cash”.

“Tjetra më së miri kish me që pagesat të bëhen me kartelë, me i ik këtij keqpërdorimi apo mashtrimi puna më e lehtë kish me qenë”, tha Selimaj.

Policia e Kosovës muaj më parë, në dy raste të ndryshme, kishte arritur të kapte rreth 15 mijë euro monedha të falsifikuara të gjitha 2 euroshe. Një aksion ishte zhvilluar në Ferizaj, ndërsa një tjetër në Prishtinë.

Back to top button