Shtrenjtohet buka deri në 50 centë, e papërballueshme për qytetarët!

Sot, qytetarët në disa lagje të Prishtinës, por edhe në qytete të tjera të vendit duke përfshirë këtu edhe Pejën, kanë paguar 50 centë për gjysmë kilogrami bukë. Po ashtu, në këto vende janë shtrenjtuar edhe produktet e tjera të miellit, si byreku që nga 0.80 centë tashmë është 1 euro.
Ngritja e çmimeve të bukës dhe produkteve të miellit përreth 40% po konsiderohet nga qytetarët si alarmante, për të cilën situatë kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të reagojë duke ndërmarrë masa.
Furrtarët, prapa kamerës, e kanë arsyetuar shtrenjtimin e bukës dhe byrekut me rritjen e çmimit të miellit nga 30 në 45 euro për 100 kilogramë miell. Në anën tjetër, deri sot nuk ka pasur asnjë reagim institucional në lidhje me këtë çështje.
Në Shoqatën e Mullisëve të Kosovës janë shprhur se ngritja e çmimit të miellit është ndikuar ai në bursën ndërkombëtare.
Qytetari Sadik Përvetica ka thënë për Kp se sot në rrugën ”Muharrem Fejza” në Prishtinë e ka blerë bukën 50 centë, 10 centë më shtrenjtë se disa ditë më parë. Rritjen e çmimit ai e ka quajtur si alarmante.
Edhe qytetari, Refik Qovani ka thënë se shtrenjtimi i bukës është i papërballueshëm për kategoritë sociale dhe pensionistët.
Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu ka thënë se ngritja e çmimit të grurit ka ndikuar në shtrenjtimin e miellit. Kjo ngritje, ai tha se ndikon drejtpërdrejt në shtrenjtimin e bukës dhe produkteve të miellit.
”Sot flasim për një çmim të miellit në tregun e Kosovës tek furrtarët tanë prej 400 deri 450 euro për një tonë me miell. Çmimi është 45 euro për 100 kilogramë miell. Kërkesa e grurit realisht e përcakton edhe çmimin, ndërsa mungesa e sasive në tregjet botërore ka ndikuar të ngritën çmimet botërore, që ndikon drejtpërdrejt edhe në tregun tonë sigurisht. Nëse bëjmë krahasim prej vitit të kaluar me çmimin e miellit që ka qenë në treg prej 300-350 euro për tonë, sivjet kemi një ngritje ose çmimin aktual prej 400-450, që i bie një ngritje e çmimit prej 30 deri 40 përqind”, ka thënë ai.
Sipas kreut të shoqatës së mullisëve, Kosova, këtë vit ka arrit rendimentin e prodhimit të grurit 30 deri 40% më së shumti. Ky prodhim i pamjaftueshëm për kërkesat e qytetarëve, detyron prodhuesit e miellit të importojnë grurë.
Ndërkaq, ngritja e çmimeve të energjisë elektrike, naftës, vajit, sheqerti, miellit, por edhe shumë produkteve të tjera ushqimore në Kosovë vazhdon të jetë problem për qytetarët, të cilët kanë thënë se bizneset nuk kontrollohen nga shteti. Ata kanë deklaruar se ngritja e çmimeve në vend është bërë trend, përderisa Qeveria e Kosovës nuk po reagon.

Back to top button