Shtyhet gjykimi i 4 serbëve të akuzuar për terrorizëm

(Lajm i përditësuar)


Në mungesë të disa prej shkresave të lëndës, me kërkesë të avokatëve të të akuzuarve është shtyrë gjykimi ndaj Millun Millenkoviq, Dejan Pantiq, Aleksandar Vlajiq dhe Miomir Vakiq, të akuzuar për terrorizëm lidhur me sulmet ndaj zyrave të KKZ–së në Mitrovicën e Veriut.Sot ishte paraparë që ndaj katër të akuzuarve të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar, kur në praktikë kjo seancë shërben që palët të deklarohen lidhur me fajësinë e tyre, pasi që prokurori ta lexon aktakuzën.Kërkesën për shtyrje të seancës e kërkoi avokati Millosh Dejaviq, i cili përfaqëson të akuzuarin Aleksandër Vlajiq. Mbrojtësit e tjerë të të akuzuarve mbështetën deklarimin e avokatit Dejaviq.

Me aprovimin e kërkesës së tillë nga gjyqtari i çështjes, Valon Kurtaj, seanca e sotme u shty për të vazhduar me 30 janar të këtij viti. Me të filluar Gjykimi për këtë rast, Kurtaj kishte udhëzuar mediat që të mos bëhet publikimi i fytyrave të të akuzuarve.


Fillon gjykimi ndaj katër serbëve të akuzuar për terrorizëm në lidhje me sulmet ndaj zyrave të KKZ-së

Millun Millenkoviq, Dejan Pantiq, Aleksandar Vlajiq dhe Miomir Vakiq dalin para Gjykatës për t’u përballur me akuzat për terrorizëm në lidhje me sulmet ndaj zyrave të KKZ – së në Mitrovicë të Veriut në dhjetor të vitit 2022.

Në departamentin special të Gjykatës së Prishtinës sot po mbahet seanca fillestare ndaj tyre para gjyqtarit Valon Kurtaj. Kurse Prokurorinë Speciale në seancën e sotme e ka përfaqësuar Prokurori Special Afrim Shefkiu.

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzën lidhur me këtë rast në dhjetor të vitit 2023, një vit pas ngjarjes kritike.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, në Mitrovicën e Veriut në rrugën “Kollashinska”, me datë 6 dhjetor të vitit 2022, të pandehurit me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, të detyrimit të padrejtë të një organi publik në këtë rast KQZ-së, për të pamundësuar zgjedhjet lokale si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës, kanë sulmuar me granata dore dhe dy shok bomba në drejtim të zyrës së KKZ-së.

“Për derisa zyrtarët e KQZ-së, së bashku me zyrtarë policorë kanë shkuar për të hapë zyrën, këta të pandehur me persona të tjerë ende të pa identifikuar kanë kryer sulm terrorist duke hedhur dy granata dore si dhe dy shok bomba në drejtim të zyrës së lartë përmendur me ç’rast njëra granatë dhe dy shok bombat kanë shpërthyer ku si rezultat i kësaj janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale si dhe është rrezikuar seriozisht jeta e zyrtarëve të KQZ-së, dhe zyrtarëve policorë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë./kallxo.com

Back to top button