Shtyhet raportimi i Murati në Komisionin për Buxhet, opozita kërkon transparencë për dy çështje

Është shtyrë raportimi i ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe përfaqësueseve të Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore, të cilët kanë pasur që të raportojnë sot (e mërkurë) në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me realizimin e të hyrave për vitin 2023.

Raportimi nga ana e ministrit Murati është shtyrë për shkak se i njëjti ishte në takim me kryetarët e komunave. Kështu ka thënë kryetari i këtij komisioni, Armend Muja, i cili ka kërkuar që raportimi i ministrit Murati të mbahet të premten.

Me këtë rast komisioni ka diskutuat për draft planin e punës së komisionit për sesionin pranveror 2024.

Deputeti i PDK, Mergim Lushtaku, ka thënë se është mirë që në Komision të ketë një raport se si ka shkuar kompensimi i dëmeve që janë shkaktuar nga vërshimet, pasi sipas tij, nuk dihet sa ka transparencë në këtë pjesë.

“Nuk dihet saktë sa mjete janë ndarë për secilën ekonomi familjare dhe nuk e di sa ka transparencë në këtë pjesë. Kemi ankesa në këtë pjesë, sidomos nga komunat dhe disa ekonomi familjarë për dëmet. Kështu është mirë me pas një transparencë në këtë drejtim”, tha Lushtaku.

Në anën tjetër, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) Avdullah Hoti ka kërkuar që në raportim të thirret edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, për rregulloren e re të BQK-së dhe për zgjedhjen e zëvendës guvernatorit në këtë institucion.

“Kam dy kërkesa për raportim në muajin mars, ju kam shkruar edhe email BQK-së, kam informatat e sakta, ka pas raportime në media për zgjedhjen e një zëvendës guvernatori. Propozoj që bashkë edhe me problemin e Rregullores së BQK-së ta ftojmë guvernatorin e BQK-së dhe bordin”, tha Hoti.

Back to top button