Shtyhet seanca në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës

 

Ka dështuar të mbahet seanca ndaj Enver Sekiraqës, i cili akuzohet për shtytjen e Arben Berishës për vrasjen e policit Triumf Riza.

“Arsyeja e shtyrjes së kësaj seance është mungesa e njërit nga anëtarët e trupit gjykues dhe data e kësaj seance do të caktohet në koordinim me anëtarët e trupit gjykues”, tha gjyqtari Agim Kuçi.

Kujtojmë se në seancën e sotme ishte paraparë të vazhdonte dëshminë Visar Riza, që është vëllau i të ndjerit Triumf Riza.

12 vjet pas vrasjes së Triumf Rizës, më 16 shtator të vitit 2019, Gjykata e Prishtinës e kishte shpallur fajtor për herë të dytë Enver Sekiraqën për nxitje të kësaj vrasjeje.

Trupi gjykues Sekiraqës i shqiptoi dënim me burgim prej 30 vjetësh, ndryshe nga hera e parë kur Sekiraqa u gjykua nga trupi gjykues i EULEX-it, i cili i shqiptoi dënimin me burgim prej 37 vjetësh.

Enver Sekiraqa, sipas aktakuzës, ngarkohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, vrasje që ndodhi më 30 gusht 2007.

Sipas Prokurorisë, Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007 pasi kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, duke shkuar në drejtim të makinës së tij ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës nga Arben Berisha dhe tre prej tyre ishin vdekjeprurës për të.

Sipas mbrojtjes së Sekiraqës, ai nuk kishte të bënte asgjë me Arben Berishën dhe se Sekiraqa në asnjë mënyrë nuk e kishte nxitur, urdhëruar apo nuk i kishte premtuar dhuratë Arben Berishës.

Arsyeja se pse Arben Berisha e kishte vrarë Triumf Rizën, sipas mbrojtjes së Sekiraqës, kishte qenë shkaku se Triumf Riza disa herë e kishte rrahur Arben Berishën.

Në mesin e dëshmitarëve të cilët u dëgjuan për këtë rast ishte edhe vetë i dënuari për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha./kallxo.com

Back to top button