Shtyhet seanca për rastin e 53 milionë eurove, çfarë deklaroi Pal Lekaj?

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj është ulur sërish në bankën e të akuzuarit.

Në fillim të seancës mbrojtësi i Pal Lekajt, avokati Musa Damati tha se mbrojtja nuk e ka pranuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale.

“Nuk e kemi pranuar aktakuzën e ngritur. Aktakuzën e ka pranuar avokati paraprak Arianit Koci”, tha Damati.

Gjithashtu, avokatët e të akuzuarve të tjerë  theksuan se nuk i kanë pranuar të gjitha shkresat e lëndës nga Prokuroria.

Mbrojtja propozoi që seanca të shtyhet për një datë tjetër në mënyrë që të jenë të gatshëm rreth deklarimit të fajësisë.

Propozimi i mbrojtjes u kundërshtua nga prokuroria, pasi që sipas prokurorisë mbrojtja që nga fillimi është pajisur më të gjitha shkresat e lëndës.

“Prokuroria ka prova që të gjithë të pandehurit janë pajisur me prova. Sa i përket të akuzuarit Pal Lekaj, avokati paraprak Arianit Koci është pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, dhe se i njëjti kur është pajisur ka pasur autorizim për t’a përfaqësuar Pal Lekajn. Nuk është faji tek prokuroria nëse të akuzuarit i ndërrojnë avokatët dhe nuk koordinohen mes veti”, tha prokurori special Valdet Gashi.

Gjykatësja Violeta Namani mori vendim që aktakuza të lexohet sot, dhe të mos shtyhet seanca për një datë tjetër.

Në shkurt 2022, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit lidhur me ndërtimin e Autostradës Prishtinë – Han i Elezit./kallxo

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button