Shtylla gati të bie, rrezikon jetën e qytetarëve!

 
Gati 1 javë kjo shtyllë po qëndron në këtë gjendje. Që kur ra bora e parë në Kërçovë, shtylla në lagjen Ivanidoll ka mbetur kështu.
Gjatë gjithë javës kërçovarët janë përballur me problem të energjisë elektrike si dhe me rënien e disa shtyllave të rrymës apo ndriçimit publik.
Si pasoj e reshjeve të borës shtyllat janë shtrembëruar dhe vështirë se mund tu rezistojnë reshjeve të ardhshme të borës.
Ky kamion ngeci në kabllot e kësaj shtylle e cila është gati të bie.
Banorët janë të shqetësuar për pasojat që mund të sjellë rënia e kësaj shtylle. Ata kërkojnë që e njëjta të rregullohet sepse përbënë rrezik.
 “Kemi problem me ndriçimin publik, sepse këto shtylla janë të vjetra. Bora ishte e rëndë dhe e lagësht dhe na solli problem më të mëdha me shtyllat. Kanë rënë shtyllat këtu në lagje, e kemi lajmëruar komunën sepse komuna është përgjegjëse”, tha Ivan Jovanovski – kryetar i Bashkësisë Lokale Ivanidoll.
Jovanovski thotë se kanë kërkuar nga komuna ta reagojnë për këtë problem, por nga atje ju kanë thënë se nuk ka tender dhe nuk mund të ndërmarrin asgjë.
 “Nga komuna na thanë se nuk kanë tender dhe nuk mund të ndërmarrin asgjë në këtë moment. Kjo situatë më shtyllat është shumë e rrezikshme sepse këtu çdo herë kalojnë njerëz , vetura dhe në çdo moment ajo mund të bie dhe të bëjë dëme të mëdha ose rrezik për humbje jete”, shtoi kryetari i Bashkësisë Lokale Ivanidoll Ivan Jovanovski.
TV21 fillimisht lajmëroi ekipin e EVN së të cilët menjëherë dolën në terren dhe na thanë se shtylla i takon komunës sepse është shtyllë e ndriçimit publik e jo e EVN-së. Ne kontaktuam edhe më përfaqësuesit e Komunës. Nga atje na lajmëruan se do të dalin në terren dhe do ta sanojnë problemin./21Media

Back to top button