‘’Shuhen’’ shpresat për zgjedhjen e presidentit?

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit po shkon drejt fundit, ndërsa kryeministri Kurti ka shtuar kritikat ndaj partive opozitare, të cilat, sipas tij, po refuzojnë ofertat për zgjedhjen e presidentit nga LVV-ja. Kurti insiston se Glauk Konjufca është kandidat i mirë për president.

‘’Le të ma gjejnë një njeri më të mirë se Glauk Konjufca, i cili i ka mbi 318 mijë vota…’’, tha Kurti.

Kritikave të Kurtit gjatë ditës u janë përgjigjur përfaqësuesit e opozitës. Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se roli i PDK-së ka qenë për të zgjedhur një president të unitetit dhe jo nga LVV-ja. Sipas tij, ofertat e Kurtit, ku përfshihet edhe posti i kryeparlamentarit, janë joserioze.

‘’Neve nuk na duhet pozita e kryetarit të Kuvendit. Oferta e kryeministrit se neve na duhet kjo pozitë nuk ka qenë serioze.’’, tha Hoxhaj.

Ndërsa, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se Kurti me veprimet e tij po shkakton zgjedhje të njëpasnjëshme në Kosovë. Ai insiston se Kurti nuk ka interes të bashkëpunojë për interesin e Kosovës, por për interesin e LVV-së.

‘’Nuk ka rrezik, por e ka shkaktuar. Për një vit e sa, tri palë zgjedhje. Kurti do të duhej të ofronte diçka që e thyen qarkun e mbyllur.’’, deklaroi Haziri.

Kryeministri Kurti ka aluduar duke thënë se PDK-ja dhe LDK-ja, si parti tradicionale, kanë pasur rënie në zgjedhjet e fundit për shkak të mungesës së bashkëpunimit.

‘’Populli e ka votuar LVV-në me 51 për qind. Duhet të mendojnë se si u bë që dy partitë më të vjetra tradicionale në Kosovë, njëra ra në 2 deputetë, e tjetra në 15.’’, tha Kurti.

Kurtit iu kundërpërgjigj nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

‘’LDK-ja është si feniksi dhe unë besoj se jemi dëshmuar në këto 37 vjet për rikthimin e madh.’’, tha Haziri.

Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka shprehur gatishmëri që të heqë dorë nga posti i kryetares së Kuvendit, nëse oferta e Kurtit pranohet nga PDK-ja ose LDK-ja.

“Po, patjetër. Kryeministri Kurti ua ka thënë edhe LDK-së, edhe PDK-së. Kjo nuk është pozita ime, domethënë nuk e kam me tapi. Njerëzit vijnë e shkojnë dhe mendoj që këtu duhet të dëshmojmë se e kemi për vendin dhe jo për interesa personale.’’, tha Haxhiu.

Më 28 prill përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri./RTV21/21Media  

Back to top button