Shumica në Këshillin e BE-së mbështet liberalizimin

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian bëri të ditu se grupi i punës për vizat zhvilloi diskutimin e parë mbi liberalizimin e vizave për Kosovën.
Sipas kësaj deklarate, Komisioni Evropian prezantoi përditësimin e tij lidhur me raportin teknik për këtë temë, i cili rikonfirmon se Kosova vazhdon të përmbushë kriteret e liberalizimit të vizave.
“Më 13 tetor, Grupi Punues për Vizat i Këshillit të BE-së mbajti diskutimin e parë për liberalizimin e vizave për Kosovën nën Presidencën Çeke. Komisioni Evropian prezantoi raportin teknik të përditësuar për këtë temë, i cili rikonfirmon se Kosova vazhdon të përmbushë kriteret për liberalizimin e vizave. Grupi Punues përshëndeti gjerësisht rihapjen e diskutimit mbi këtë temë dhe në përgjithësi mbështeti procesin e liberalizimit të vizave. Për të përparuar në këtë dosje, do të jetë e nevojshme të sqarohen një sërë temash të lidhura dhe të vazhdohet diskutimi”, thuhet në deklaratën zytare të presidencës çeke.
Në mbledhjen e mbyllur, të mbajtur të enjten në Këshillin e Bashkimit Evropian, Radio Evropa e Lirë raportoi se është propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS. Ky propozim besohet se është bërë nga zyrtarët francezë, dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës. ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit./21Media

Back to top button