Si të përgatitemi për ta mirëpritur muajin e Ramazanit?

Muaji më i rëndësishëm për myslimanët është muaji i Ramazanit, i cili do të fillojë edhe katër ditë. Hoxha Labinot Maliqi për rtv21.tv deklaroi se Ramazani është muaj i madh, muaji i Kuranit dhe në këtë muaj është Nata e Kadrit, e cila është më e mirë se njëmijë muaj.
Ai u shpreh se muaji i bekuar i Ramazanit është një kohë e bukur dhe e mrekullueshme.
“Falënderojmë Zotin e Plotfuqishëm për udhëzimin, dhe për mundësinë që të dëshmojmë këtë kohë të bekuar në jetën tonë. Na ndihmoftë të përfitojmë nga kjo stinë virtytesh dhe bekimesh dhe na dhuroftë dashurinë, mëshirën dhe faljen e Tij tani e përgjithmonë, amin. Allahu e zgjodhi këtë muaj dhe një natë të veçantë në të për t’i dhënë njerëzimit udhëzim, shërim e hijeshi me Testamentin e Tij Përfundimtar, Mesazhin e Tij të Fundit, Kuranin.”, theksoi ai.
Në muajin e Ramazanit besimtarët myslimanë janë të obliguar të agjërojnë 30 ditë pa ndërprerë, nga agimi në mbrëmje, duke plotësuar një nga pesë shtyllat kyçe të fesë Islame. Përveç ngrënies dhe prijes, myslimanëve gjatë agjërimit u ndalohen edhe disa gjëra të tjera, që shpjegohen sipas fesë Islame.
Hoxha Labinot Maliqi ju bëri thirrje besimtarëve që të mos humbasin asnjë ditë agjërimi dhe të mos humbasin asnjë moment të muajit të Ramazanit.
“Muaji i bekuar i Ramazanit do të sjellë një muaj të plotë agjërimi për myslimanët në Kosovë dhe në mbarë botën. Gjatë këtij muaji të 9-të të kalendarit Islam, është e detyrueshme për të gjithë besimtarët e rritur e të shëndetshëm që të agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit, duke u përmbajtur nga ushqimet dhe pijet, marrëdhëniet seksuale, gënjeshtra, fjalët e kota, sjellja e keqe – qoftë kundër vetvetes apo ndaj të tjerëve, nga shikimi në të ndaluarën, zilia, xhelozia, hipokrizia, mendjemadhësia, dhe nga çdo gjë tjetër që bjen ndesh me mësimet hyjnore.”, potencoi Maliqi për rtv21.tv
Sipas tij, muaji i Ramazanit është një shancë që mund të jetë e fundit dhe kohë shumë e çmuar. “Allahu do të na japë shumë shpërblime nëse e përdorim atë në mënyrën e duhur”.
Hoxha Labinot Maliqi dha disa rekomandime rreth përgatitjes se si të mirëpritet muaji i Ramazanit:
1. Nijeti/Qëllimi: Kujtojuni vetes vazhdimisht se jeni duke agjëruar me bindje vetëm për Zotin e Madhëruar. Jini të sinqertë në qëllimin tuaj. Profeti Muhammed (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin për të) ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe duke qenë i bindur në shpërblimin e Zotit, i falen të gjitha mëkatet e kaluara”.
2. Suneti: Respekto Sunetin/traditën Profetike gjatë agjërimit. Shtrojeni syfyrin pak para agimit dhe përfundoni agjërimin gjatë perëndimit të diellit. Faluni natën, zgjojeni edhe familjen për tu falur.
3. Reflektimi: Mendoni, reflektoni dhe planifikoni për të përmirësuar gjendjen morale dhe shpirtërore të vetes dhe të familjes suaj. Mendoni për gjërat e gabuara dhe mëkatet që keni bërë dhe vendosni përfundimisht të korrigjoni vetveten. Mendoni për çdo mangësi që keni në raport me obligimet që keni ndaj Krijuesit, pastaj edhe me obligimet ndaj krijesave.
Planifikoni të ndryshoni veten. Mendoni për jetën pas vdekjes dhe Ditën e Gjykimit, e sidomos rreth takimit me Krijuesin e Gjithësisë.
4. Namazi, lutja dhe përmendja e Zotit: Faluni në kohë dhe falni të gjitha farzet/kohët obligative të namazeve, por mos e injoroni namazin e teravive. Bëni më shumë dhikër (përkujtoni Zotin) dhe lutuni shumë për veten dhe për të tjerët. Pendohuni dhe kërkoni falje për veten dhe për të tjerët. Kjo është koha më e mirë për tu përkushtuar dhe për të kërkuar falje tek Allahu. Kërkoni Natën e Kadrit me përkushtim të veçantë gjatë dhjetë netëve të fundit të këtij muaji.
5. Kurani: Agjërimi dhe shpallja e Kuranit janë shumë të ndërlidhura. Profeti Musa (paqja qoftë për të) agjëroi kur mori Tevratin. Profeti Isa (paqja qofte për të) agjëroi kur mori Ungjillin. Gjithashtu, Profeti Muhammed (paqja e Zotit qoftë për të) agjëroi kur mori mesazhin e parë të Kuranit. Le ta bëjmë të njëjtën gjë. Agjëroni dhe kaloni shumë kohë me Kuranin, Librin e Zotit. Lexojeni çdo ditë dhe përpiquni së paku një herë gjatë Ramazanit ta përfundoni leximin e tij.
6. Familja: Mirësia duhet të fillojë në shtëpi. Jini shumë të mirë me familjen tuaj, familjen e ngushtë dhe familjen e gjerë. Kaloni më shumë kohë cilësore me anëtarët e familjes tuaj.
Zgjohuni në syfyr së bashku dhe bëni iftar e faluni së bashku. Ramazani duhet t’ju afrojë me njëri-tjetrin. Mëshira e veçantë e Allahut vjen për familjet e bashkuara, që kanë mirësjellje e durim, harmoni e paqe, mëshirë, falje dhe dashuri për njëri-tjetrin.
7. Jini të lumtur dhe të gëzuar: Ramazani nuk është kohë zie apo pikëllimi. Është një kohë falënderimi ndaj Allahut. Mos u ndjeni të lodhur dhe të mjerë. Ndjehuni vigjilenët, me disponim dhe relaksohuni. Merrini gjërat lehtë. Nëse dikush ju ofendon, distancohuni duke i thënë se ‘’unë jam agjërueshëm’’. Kjo kohë është për të mirën tuaj. Jepini njëri-tjetrit urimet e Ramazanit dhe shijoni maksimalisht këtë kohë të bukur.
8. Sjellja e mirë: Agjërimi duhet t’ju transformojë dhe duhet t’ju bëjë një person tjetër. Mundohuni të jeni tepër të sjellshëm gjatë këtij muaji. Harroni grindjet dhe mosmarrëveshjet tuaja. Pajtohu dhe fali të tjerët. Mos u përfshi në përgojim, gënjeshtra, mashtrime dhe çdo gjë tjetër që është e gabuar dhe e ndaluar. Jini shumë të mirë me të gjitha krijesat. Jini të mirë me miqtë dhe fqinjët tuaj. Kthejeni të keqen me mënyrën më të mirë që dini.
9. Distancohu: Shmangu nga çdo gjë që eshte haram (e ndaluar) apo mekruh (e urryer). Mbani trupin dhe mendjen tuaj të pastërt. Agjërimi nuk është vetëm shmangie nga ushqimi dhe pija. Agjërimi është të mësosh se si të shmangësh nga fjalët dhe veprat e këqija. Profeti Muhammed (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin për të) ka thënë: “Kush nuk lë fjalët e këqija dhe veprat e këqija, Allahut nuk i intereson nëse ai/ajo lë ushqimin dhe pijen”.
10. Vizitoni mjekun: Një tjetër gjë për t’i shtuar listës suaj të përgatitjes për Ramazan është një vizitë te mjeku. Nëse keni ndonje shqetësim, diskutimi i tyre me mjekun tuaj dhe trajtimi i tyre paraprakisht do t’ju shpëtojë nga shumë telashe gjatë Ramazanit. Nëse keni një sëmundje të gjatë si kolesteroli, diabeti ose presioni i lartë i gjakut, atëherë duhet të vizitoni mjekun tuaj gjithsesi. Nëse tashmë jeni duke marrë mjekim, atëherë mjeku juaj do të jetë në gjendje t’ju këshillojë se si të rishikoni oraret për t’iu përshtatur ditës së agjërimit.
11. Bëni një listë të lutjeve: Derisa je duke e përgatitur listën e lutjeve, është një tregues i qartë se çfarë qëllime je duke synuar për të arritur gjatë Ramazanit. Myslimanët anembanë botës kënaqen duke i bërë lutje Allahut të Plotfuqishëm. Prandaj, është mirë që gjithmonë t’i përpiloni këto lutje dhe t’i mësoni përmendësh përpara se të arrij muaji i shenjtë i Ramazanit.
12. Mbani një dietë ushqyese: Agjërimi gjatë gjithë muajit të Ramazanit është një sfidë mendore dhe fizike. Prandaj, mbajtja e një diete të ekuilibruar para dhe gjatë Ramazanit është thelbësore. Komponentët e një vakti të ekuilibruar punojnë së bashku për të mbajtur konstant sheqerin në gjak dhe për të dhënë shumë energji. Prandaj, drithërat, frutat dhe perimet e freskëta, qumështi, kosi, vezët dhe arrat duhet të përfshihen në dietën e njeriut para dhe gjatë Ramazanit.
Muaji i Ramazanit sivjet do të fillojë më 2 prill (e shtunë) dhe do të përfundojë më 1 maj (e diel). Dita e parë e Fitër Bajramit është më 2 maj (e hënë)./21Media

Back to top button