Siguria në trafik, policia pritet t’i ashpërsojë masat

(Lajm i përditësuar)


Siguria në trafik, policia pritet t’i ashpërsojë masat

Policia e Kosovës pritet të ashpërsojë masat ndaj shkelësve të rregullave në trafik, pas humbjes së jetës së tre të rinjve në autostradën “Ibrahim Rugova”, si pasojë e organizimit të grave ilegale të shpejtësisë. Për këtë rast, policia ka iniciuar masa disiplinore ndaj zyrtarëve policorë neglizhentë, derisa ka lëvizur nga pozitat komandantin e njësisë së trafikut në Prizren dhe përgjegjësin policor për sigurinë e trafikut në autostrada.

Ministri i Punëve të brendshme tha se janë duke u bërë edhe ndryshimet ligjore për rregullat e trafikut rrugor, ku do të ketë ashpërsim të masave ndaj shkelësve të rregullave në komunikacion, dyfishim të vlerës së gjobave monetare, dyfishim të afateve kohore të konfiskimit të patentë shoferëve dhe të pikave negative.

“Parashihet të ketë ashpërsim të masave ndaj shkelësve të rregullave në komunikacion, ndër të tjera dyfishim të vlerës së gjobave monetare, dyfishim të afateve kohore të konfiskimit të patentë shoferëve dhe dyfishim të pikave negative. Me plotësim ndryshimin e ligjit përshihet se përgjegjësia e shkeljeve në komunikacion të jetë mbi pronarin e veturës. Të gjitha këto ndryshime, posaçërisht kjo e fundit do të mundësojë vazhdimin e investimeve teknologjike për detektimin dhe parandalimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë në komunikacion. Me fjalë të tjera ky ndryshim ligjor do të na mundësojë që përmes teknologjisë ne të penalizojmë pronarët e atyre veturave që bëjnë shkelje në trafik dhe këto dënime do të dërgohen në mënyrë të automatizuar te pronarët. Më herët kjo për shkak të kufizimeve ligjore ka qenë e pamundshme, ndërsa tash presim që ky ligj të kalojë në lexim të dytë”, shtoi ai.

Në anën tjetër, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se pas rasteve të fundit të aksidenteve me fatalitet ka mobilizim të të gjitha njësive policore.

Ai tha se deri tani kanë parandaluar 50 gara ilegale të automjeteve derisa edhe kanë shpërndarë 193 gjoba.

Ai tha se gjatë këtij viti ka një rritje prej 7.58 për qind të aksidenteve në total, derisa përmendi arsyet pse po ndodhin të njëjtat.

“Ka një rritje prej 7.58 për qind të aksidenteve në total. Personat që kanë humbur jetën në aksidentet e trafikut në janar-17 dhjetor dhe kjo mbrëmë kanë qenë 46 për qind shofer, 28,1 për qind këmbësor, 28 për qind kanë qenë pasagjerë. Shkaktarët sipas analizave që policia e trafikut i ka identifikuar janë mosmbajtja e distancës së sigurisë ndërmjet mjeteve, manipulimi i pasigurt në automjet, mospërshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës, mosrespektimi i përparësisë së kalimit, kyçje e pasigurt në rrugë, radhitje e parregullt në ndërrim të shiritave dhe kthim rreth-rrotullimi lëvizje prapa”, tha Hoxha


Mbi 100 persona vdiqën këtë vit si pasojë e aksidenteve të trafikut

Gjatë periudhës 01 janar- 18 dhjetor 2023 kanë vdekur 106 persona në aksidente të trafikut në Kosovë. Kështu njoftoi Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,

Ai tha se 46 nga personat e vdekur në aksidente kanë qenë shoferë, 29 persona kanë qenë këmbësorë dhe 28 kanë qenë pasagjerë.

Derisa sipas Hoxhës gjatë muajit korrik të këtij viti ka pasur të vdekur më së shumti persona.


Aksidenti në Prizren, Sveçla: Ky grup organizoi gara edhe më herët, policia kishte marrë masa

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha në një konferencë për media  foli për aksidentin në Prizren ku vdiqën tre të rinj.

Ai tha  pas këtij aksidenti, ka biseduar me drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxhën për “masat që duhet të ndërmerren, sidomos nga Policia e Kosovës në raport me organizimin e garave automobilistike të jashtëligjshme” dhe “për veprimet e ndërmarra nga Policia për rritjen e sigurisë në trafik”.

“Policia e Kosovës, të njëjtit grup ia kishte parandaluar dy herë organizimin e garave të tilla. Siç tashmë është bërë publike në media, të njëjtit kanë pasur gjoba të njëpasnjëshme nga Policia e Kosovës për tejkalim shpejtësie dhe rrezikim në komunikacion, ndërsa njërit prej tyre i është konfiskuar patent-shoferi për tejkalim shpejtësie dhe filmim e publikim të këtyre garave”, tha Sveçla.

Ministri po ashtu tregoi se këtë vit, 104 qytetarë kanë vdekur si pasojë e aksidenteve, ndërsa Policia e Kosovës ka shqiptuar 76 gjoba ndaj personave që kanë organizuar gara të jashtëligjshme automobilistike

Po ashtu ai tha se në mesin e masave të ndërmarra është edhe pajisja e zyrtarëve të trafikut me kamera trupore dhe se janë futur në funksion “vetura me pajisje inteligjente për evidentimin elektronik të shkeljeve në komunikacion”.


Ministri Sveçla dhe drejtori i policisë, Hoxha mbajnë konferencë për media

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha do të mbajnë konferencë për media.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme(MPB) konferenca do të mbahet sot më 20.12.2022 në orën 10:00, në objektin qendrorë të MPB-së.

Derisa nuk bëhet e ditur se për çfarë do të diskutohet./21Media

Back to top button