Sillva dhe Varheji në Sofje dhe Shkup! Zaev: Nuk dua të nxisim pritshmëri joreale

 

Çfarë do të sjellin shefi i diplomacisë portugeze Santosh Sillva dhe eurokomisari Oliver Varheji gjatë vizitës së nesërme në Sofje e pastaj në Shkup? Jo zyrtarisht dy palëve do t’u dorëzohen ide dhe propozime për tejkalimin e bllokadës së Bullgarisë, por tani për tani është e paqartë se si do të ndodhë kjo gjë duke marrë parasysh faktin që nga Bullgaria erdhi deklaratë se qeveria teknike nuk do të sjellë vendime të tilla. Drejtoresha e Institutit për politika evropiane Simonida Kacarska thotë se në këtë fazë ajo nuk pret shumë, por se në politikë gjithçka është e mundur.

“Politika është arti i së pamundurës. Nëse ekziston mundësi që të parashtrohet kjo çështje si çështje teknike për fillimin, në formë të zbatimit të prolonguar dhe me prolongimin e zgjidhjes së një pjese të këtyre çështjeve, ndoshta ka gatishmëri. Edhe pse deklaratat zyrtare që i morëm prej Sofjes aspak nuk ishin optimiste”, tha Simonida Kacarska – Drejtoreshë e IPE-së.

Ambasadorja gjermane në Maqedoninë e Veriut, Anke Holshtajn tha se nuk e di se si duket propozimi. Ajo u fokusua në negociatat që u mbajtën vitin e kaluar në Berlin, por nga ana tjetër kjo çështje tani kur Bullgaria ka qeveri teknike, është shumë e vështirë, tha Holshtajn.

Së fundmi edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev thotë se nuk dëshiron të nxisë pritshmëri joreale me qëllim që më vonë të mos ketë zhgënjime të mëdha. A do të gjenden bashkërisht rrënjat të cilat i kërkonte ish-kryeministri i Bullgarisë Bojko Borisov?

“A e dini si, edhe ai është krishterë ortodoks dhe unë jam krishterë ortodoks dhe është shumë e thjeshtë për ta kuptuar, sepse ai pyeti – si e kuptoni ju këtë çështje me rrënjat? Ja si e kuptojmë – në shkencë të gjithë jemi nga majmunët, sipas religjionit të gjithë jemi nga Adami dhe Eva. Si është ajo – maqedonasit nga bullgarët nga e gjithë bota, apo bullgarët nga maqedonasit? Ose jemi nga majmunët ose jemi nga Adami dhe Eva”, tha kryeministri Zoran Zaev.

Ministri i jashtëm, Bujar Osmani i cili në deklaratat e fundit të tij pretendonte se mund të negociohet edhe me Qeverinë teknike bullgare, tani pohon se tashmë kanë vendosur kontakte me Qeverinë teknike bullgare.

Ne vendosëm komunikim edhe me Qeverinë e re zyrtare bullgare. Konsideroj se edhe me këtë Qeveri mund të negociohet, pasi është zyrtare edhe për këto çështje. Kështu që, shpresojmë edhe për propozimin, por edhe për komunikimin e drejtpërdrejtë që e kemi me Qeverinë bullgare”, deklaroi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Edhe kryeministri Zaev, por edhe ministrat gjatë periudhës së kaluar kishin aktivitete mjaft intensive, vetëm për një javë dy herë e vizituan Brukselin ku u takuan dhe biseduan me zyrtarë të lartë të BE-së.

Ofensiva e këtillë diplomatike vjen në prag të mbajtjes së Këshillit të BE-së më 22 qershor, në të cilin Maqedonia pret të miratohet pakoja negociuese për start të bisedimeve aderuese./21Media

Back to top button