Simeone: Nuk më intereson çfarë mendojnë të tjerët për mua

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone iu është adresuar mediave sot, ku u përball me pyetje të shumta sa i përket kritikave të fundit për eliminimin nga Liga e Kampionëve.
Atletico Madridi u eliminua nga edicioni aktual i Ligës së Kampionëve qysh në fazën e grupeve, pasi barazoi së fundmi me Bayer Leverkusenin.
Pas eliminimit nga kjo garë, Simeone është përballur me kritika të shumta, ku madje flitej edhe për largim nga “Wanda Metropolitano”.
Por, Simeone tha që nuk i intereson se çfarë mendojnë të tjerët për të sepse është i vetëdijshëm për punën që e bën te Atletico.
“Mua nuk më intereson se çfarë mendojnë të tjerët për mua. Unë e di se çfarë ofroj, dhe kjo nuk mbaron sot”, tha Simeone.
Po ashtu, Simeone foli edhe për situatën e Joao Felix, i cili nuk po ka këtë sezon një minutazhë të kënaqshme me Atleticon.
“Joao Felix? Nuk kam asgjë për të thënë sa i përket jetës së tij private, sigurisht jo këtu. Ne duhet të vazhdojmë që të punojmë shumë”, tha Simeone.
Këtë sezon, Diego Simeone e ka udhëhequr Atletico Madridin drejt vendit të tretë në tabelën e La Ligas, ku gjendet në kuotën e 23 pikëve, pesë sosh më pak se Barcelona në vendin e dytë, e tetë sosh larg liderit të tabelës, Real Madridit.

Back to top button