Simptomat e sëmundjes “Lupus”, trajtimi dhe moshat më të prekura
Lupus është një sëmundje autoimune në të cilën sistemi imunitar i trupit gabimisht sulmon indet e shëndetshme në shumë pjesë të trupit. Simptomat ndryshojnë mes njerëzve dhe mund të jenë të lehta deri të rënda.
Në programin e mëngjesit, “Për Ditë të Mbarë”, në RTV21, internistja – reumatologia Jehona Ismaili-Kadrija, tregon se pacientët që vizitohen te mjeku, mund të ankohen për lodhje ekstreme, që është simptoma më e shpeshtë e sëmundjes “Lupus” por, jo domosdoshmërisht pasi që me lodhje mund të manifestohen edhe shumë sëmundje të tjera apo edhe aktivitete fizike të përditshme.
Disa nga simptomat tjera, janë edhe ethet, temperatura, gjendja psikoze, humbja e vullnetit për të kryer aktivitetet e përditshme, madje pacientët mund të kenë pagjakësi apo edhe rënie e flokëve.
Sipas Ismaili-Kadrija, grupmoshat më të prekura janë moshat e reja, kryesisht prej moshës 15-45 vjeçare dhe prek më tepër gjininë femërore, në raport 9/1 me meshkuj. Po ashtu, raca më e prekur janë ata me ngjyrë.
Por, pse preket më shumë gjinia femërore se ajo mashkullore nga kjo sëmundje?
“Kjo mendohet se lidhet me rolin e estrogjeneve, estrogjenet në këtë periudhë janë shumë të rritura dhe kjo nxit shpërthimin e sëmundjes, madje femrat me lupus në kohën e ciklit menstrual ato kanë edhe dhimbje më tepër, mirëpo gjithmonë mbas lindjes mundësia që lupusi të shpërthejë është më e madhe”, shton reumatologia.
A shërohet lupusi?
Lupusi është sëmundje e mjekueshme, sëmundje që trajtohet por, jo të shërohet plotësisht./21Media