Sinani: Refuzimi i vizitës së katër ministrave dëshmon se Lugina duhet të jetë pjesë e dialogut

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka reaguar pas refuzimit të vizitës nga ana e Serbisë të katër ministrave të qeverisë Kurti në Luginën e Preshevës.
Sipas Sinanit ky refuzim dëshmon se Lugina e Preshevës është pjesë e kontestit Kosovë-Serbi dhe se duhet të jetë pjesë e dialogut në Bruksel.
”Përveç se Serbia nuk ia lejon shqiptarëve përdorimin zyrtar të simboleve kombëtare dhe një varg të drejtash tjera që i gëzojnë pakicat kudo në botë, sot Beogradi po shpërfaq se i pengon çfarëdo komunikimi dhe ndihme nga Qeveria e Kosovës”, ka shkruar Sinani në ”Facebook”.
Sinani i ka falenderuar të gjithë ministrat e Kosovës si dhe ka theksuar se ky rast duhet të jetë këmbanë për autoritetet më të larta ndërkombëtare, sidomos Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian ndaj çështjes së Luginës së Preshevës.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi duke thënë se “S’ka moment tjetër për veprim”.
Ndërkaq, sot Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, të Arsimit Arbërie Nagavci, atij të financave Hekuran Muratit dhe ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekut iu është refuzuar nga Serbia kërkesa për vizitën e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës.
Lajmin e ka konfirmuar ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu përmes një postimi në “Facebook” duke thënë se ky refuzim u bë pa asnjë arsye./21Media

Back to top button