Qeveria e Kosovës sot ka afatin e fundit për plotësimin e kërkesave të Policisë së Kosovës për përfshirjen e tyre në vendimin e pagave shtesë nga 300 euro për korrik dhe gusht.

Nëse ekzekutivi nuk përmbushë këto kërkesa dhe ato për kompensimin e orëve shtesë, Sindikata e Policisë së Kosovës paralajmëron protestë dhe neglizhencë të punës.

Kështu kanë thënë sot drejtues të Sindikatës së Policisë në mbledhjen e komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në të cilën u njoftuan deputetët lidhur me kërkesat e tyre.

Kryetarja e Sindikatës së Policisë Valbona Kamberi tha se pakënaqësitë e policisë janë të mëdha, sidomos për punën në pandemi e cila nuk po stimulohet nga Qeveria.

Ajo tha se asnjë kërkesë deri tash nuk është plotësuar nga Qeveria e Kosovës.

“Tri kërkesa janë dërguar në Qeveri, asnjë përgjigje s’kemi marrë prej ende. Policia që nga 12 marsi punon 12 orë në ditë për shkak të pandemisë Covid-19. Është një sakrificë e madhe nga policia dhe jo stimulim për Policinë e Kosovës që janë në vijën e parë në luftën kundër pandemisë. Deri tash janë infektuar mbi 600 pjesëtar dhe 10 pjesëtarë të tjerë kanë humbur betejën me këtë virus. Prandaj, stimulimi i mjekëve me nga 300 euro për korrik dhe gusht ka rezultuar pakënaqësi tek policia, pasi kjo kategori nuk është përfshirë në vendimin e fundit të Qeverisë”, thekson Kamberi.

Ajo shprehi brengën e saj edhe për mos pagesë e orëve shtesë për policinë.

Kamberi ka komentuar edhe rastin e fundit për ndërhyrjen e policisë ndaj një qytetari për mungesë të maskës.

“Nuk po pajtohemi me deputetin Daut Haradinaj i cili ka thënë se policia nuk po e kryen detyrën zyrtare. Policia nuk bën asgjë më shumë se ajo që kërkohet me ligj”, tha ajo.

Përderisa Kamberi ka thënë se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, do të mbajnë protesta, greva si dhe do ta pasivizojnë punën në terren.

“Policia do të jetë më pasive dhe nuk do të merremi më as me dënime dhe kontrollin se kush po mban maskë e kush jo”, tha ajo.

Ndërsa, deputeti Rexhep Selimi tha se është i shqetësuar me gjendjen e rëndë në policinë e Kosovës.

Ai tha se kërkesat e policisë i mbështet 100 përqind.

“Unë propozoj komisionit për formimin e Grupit Punues për mbikëqyrjen e ligjit të Policisë së Kosovës. Në anën tjetër mos përgjigja nga ana e Qeverisë është tejet shqetësuese. Policisë Kosovës nuk i paguhen orët shtesë ashtu siç duhet, madje nuk janë përfshirë në pakon emergjente me nga 300 euro”, theksoi Selimi.

Deputetja Ganimete Musliu tha se kërkesat e policisë nuk është hera e parë që dëgjohen në Kuvend.

Megjithatë, ajo ka kërkuar që komisioni unanimisht t’i mbështet kërkesat e policisë.

“Është alarmi i fundit për qeverinë që t’i plotësojë kërkesat e policisë. Por, nuk duhet edhe të shmangen protestat e policisë pasi kërkesat e tyre nuk po zgjidhen asnjë herë”, tha ajo, duke kërkuar edhe profesionalizëm në Policinë e Kosovës.

Deputeti Elmi Reçica duke kërkuar mbështetje për polici, tha se dëshiron që mos të ndodhin protesta ose grevë nga policia, pasi varet shumë siguria e qytetarëve dhe ajo kombëtare nga policia.

Deputeti Bekë Berisha ka thënë se secili prej deputetëve ka vullnet për t’i dalë në ndihmë policisë, dhe ka thënë se nuk është e nevojshme mbajtja e protestave nga policia, pasi do të zgjidhen kërkesat e tyre.

Deputeti Mefail Bajqinovci ka theksuar se kërkesat e policisë janë legjitime, dhe vërtet për pagën shtesë 300 euro janë “pezmatuar” policia.

Paga e një polici në vend aktualisht është 390 euro.

Katër kërkesat me prioritet të Sindikatës së Policisë janë: pako emergjente, shujtat, ligji për pensionim të parakohshëm dhe sigurimi shëndetësor./kp