Sindikata e QKUK-së e përkrah grevën

Shoqata Sindikale e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës po përkrah grevën e përgjithshme të punëtorëve e cila ka nisur dje, me vendim të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Nga sindikata thonë se kërkesat e tyre për rritjen e mirëqenies së punonjësve shëndetësorë dhe ngritjen e cilësisë së shërbimit në vazhdimësi janë injoruar, por “kapakun ia ka vë kjo Qeveri e cila me paturpësinë më të madhe deklarohet me orientime socialdemokrate, ndërsa veprimet e ndërmarrura e rangojnë në qeveri autokratike dhe ekstremisht djathtiste, këtë e dëshmon veprimi ndëshkues i ndërmarrur dje, karshi punonjësve grevist, në vend që të ulet në dialog social për të zgjedhur hallet dhe problemet e shumta të të klasës punëtore, halle këto të cilat janë rritur shumë nga inflacioni gallopant”.
Sa i përket Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, e cila të enjten u deklarua kundër grevës, Sindikata e QKUK-së thotë se kjo federatë është e kundërligjshme dhe e dalë nga një proces i manipuluar zgjedhor.
“Sa i përket deklarimit të djeshëm të FSSHK e cila është prononcuar kundër solidarizimit me greven e kolegëve të SBASHK-ut dhe administratës publike, kjo udhëheqje e kundërligjëshme, e dalur nga procesi i manipuluar zgjedhor, e ndihmuar nga këta pushtetarë dhe segmente të caktuara të partisë më të madhe opozitare – janë në borxhe politike, andaj nuk mund ta ngrisin kokën dhe ti mbrojnë interesat e
klasës punëtore të RKS e besa as të punonjësve shëndetësor”, thuhet në deklaratë.
Sindikata fajësoi politikbërjen për gjendjen në të cilën ndodhet shëndetësia në Kosovë.
“Ne anëtarësia e SHS-së të QKUK-së e kemi kuptuar që ligjin mbi pagat, i prolonguar nga kjo qeveri qe një vit, edhe kështu si është dizajnuar është bërë për të mos u miratuar! Edhe nëse miratohet, hyrja në fuqi pas tetë muajsh e bën të pa vlerë sepse ai nuk i zgjidhë problemet sociale. Janë nxjerrur në publikim disa koeficientë pa vlerë të caktuar dhe pa e bërë rangimin e mirëfillt sipas meritave dhe gradave. Ju politikberesit e këtij vendi e keni dëmtuar në vazhdimesi sektorin publik të shëndetësisë me veprimet tuaja politike dhe aktualisht është në buzë të shthurjes dhe shkatërrimit dhe mbi bazën e kësaj SHS e QKUK ja tërhjekë vërejtjen kësaj qeverisjeje se ne nuk pajtohemi me këtë gjendje në të cilën ështv sjellur shëndetësia dhe ditëve në vijim do të marim vendime për manifestimin e kësaj paknaqësie me këtë gjendje, me veprime sindikaliste, andaj disa nga kërkesat bazike janë: Rritja e mirëqenies së punonjësit shëndetësor në sektorin publik, investimet në shëndetësinë publike, rritja e cilësisë së shërbimit e cila varet nga këto investime, pagat sipas meritave dhe gradave të punës – ndarja dhe rangimi sipas niveleve: primar, sekondar, terciar dhe sipas gradave. Këto do jenë disa nga kërkesat bazë për ta shpëtuar sistemin shëndetësorë publik dhe ngritjen e mirëqenies së punonjësve të këtij sistemi”, thuhet tutje në deklaratë.
Mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës, nga 25 gushti kanë hyrë në grevë. Kërkesa kryesore e tyre është ndarja e nga 100 eurove, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat./21Media

Back to top button