Sindikata e Trepçës reagon ashpër ndaj deklaratës së Kocijançiqit

“Trepça është e minatorëve”

Sindikata e pavarurur e minatorëve të Trepçës ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijançiq që Trepça do të jetë temë e bisedimeve me Serbinë.

Sipas Sindikatës, diskutimi për Trepçën e cenon direkt sovranitetin e Republikës së  Kosovës, si dhe Trepça është pasuri kombëtare e Republikës së Kosovës. Këto reagime në emër të Sindikatës i ka bërë kryetar i Sindikatës së Punëtorve të Trepçës, Shyqri Sadiku përmes një postimi në Facebook.

“Sindikata e pavarur e minatorëve të Trepçës reagon ashpër ndaj deklaratës së zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijancic që Trepça të jetë si temë diskutimi në dialogun në Bruksel.
Trepça është e minatorëve, Trepça është pasuri kombëtare e Republikës së Kosovës. Diskutimi për Trepçën cenon direkt sovranitetin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sadiku.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dje ka reaguar për deklaratën e Kocijançiqit për Trepçën, duke u shprehur se reagimi i BE-së kundër miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr.

Edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dje po ashtu ka deklaruar se Trepça nuk do të jetë temë e bisedimeve me Serbinë. Ai ka akuzuar Bashkimin e Evropian se rrënon prespektivën e dialogut.

Kujtojmë që, kuvendi i Kosovës më 3 shkurt ka miratuar statutin e Minierës së Trepçës. Dokumenti i kaluar me 80 vota pro, parashikon regjistrimin e saj si një ndërmarrje te re në përputhje me ligjin e miratuar në vitin 2016, sipas të cilit, Qeveria e Kosovës bëhet pronare me 80% të kapitalit./21Media 

Back to top button