Shoqata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror paralajmëron grevë

Greva do të mbahet me 13 shkurt

Shoqata Sindikale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Kosovës përmes një komunikate për media ka paralajmëruar grevë 1-orëshe me datën 13 shkurt të këtij viti. Greva e tyre do të fillojë në orën 08:00.

SINKON këtë hap sindikal ka bërë të ditur se do ta ndërmarrë për shkak të pakënaqësive të përfshirjes së këtij institucioni në Ligjin e Pagave.

“Për t’i dhënë hapësirë krerëve të institucioneve, respektivisht Presidentit të Republikës së Kosovës që të shqyrtojë kërkesën legjitime të kontrollorëve të trafikut ajror të Kosovës, për t’u përjashtuar nga Ligji për Paga, anëtarësia e SINKON njëzëri vendosi që të shpallë grevë paralajmëruese në kohëzgjatje prej një ore më datë 13.02.2019, prej orës 08:00 deri në ora 09:00. Duke qenë se Ligji për Greva në nenin 17 njeh kontrollin e trafikut ajror si shërbim jetik, gjatë kohëzgjatjes së grevës, kontrollorët do të sigurojnë minimumin e procesit të punës duke i ofruar shërbime të trafikut ajror fluturimeve ushtarake dhe ambulantore në Kosovë”, është bërë e ditur në komunikatë.

Si shenjë mirëbesimi nga SINKON ndaj vullnetit të mirë për të zgjidhur këtë çështje, anëtarësia e SINKON ka vendosur  që të pezullojë ofrimin e shërbimit bazik (work-to-rule), që nënkupton ofrim të shërbimit të plotë.

Në rast të mos përgjigjes së institucioneve të Kosovës ndaj kërkesës së tyre për përjashtim nga ligji i pagave për shërbyes civil, SINKON ka paralajmëruar se atëherë masat sindikale dhe greva do të përshkallëzohen.

Në komunikatë theksohet se SINKON dje ka qenë e ftuar në takim nga Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj. Në këtë takim Ministrit i është bërë e ditur arsyeja e ndërmarrjes së hapave nga SINKON për të shprehur pakënaqësinë në lidhje me përfshirjen në Ligjin e Pagave.

Më 2 shkurt, pas një debati 6 orësh, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Ligjin për Pagat. Teksti në përgjithësi më amendamentet e propozuara është votuar me 63 vota pro, asnjë kundër dhe një abstenim. /21Media 

Back to top button