Sipas Molliqajt s’ka profesion më të keqpërdorur nga Qeveria Kurti sesa ai i policit

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka reaguar pas suspendimit të zyrtarit policor, Amir Hoxha i cili u suspendua pasi kritikoi shpenzimet e deputetëve dhe i kishte shprehur pakënaqësinë e tij për mospagesën e shujtave për policët.
Molliqaj ka theksuar se nuk ka profesion më të keqpërdorur nga Qeveria Kurti sesa ai i policit.
”Polici i përjashtuar nga puna shpërfaqi kontradiktën në mes të privilegjeve të atyre në pushtet dhe kushteve të vështira të punëtorit. Prandaj u largua. Ai tha shumë, me pak fjalë. Polici nuk është trup në shërbim të privilegjeve të shefit. Kushtet e punës, pa sigurim shëndetësor e me orar e terren të vëshirë pune, ditë e natë, policin e dobësojnë. Mbajtja nën kushte minimale është shfrytëzim. Sindikata e policisë duhet të zgjohet”, ka shkruar Molliqaj.
Sipas Molliqajt përjashtimi nga puna tregon natyrën e pushtetit totalitar, madje edhe polici është edhe qytetar. Amir Hoxha është larguar nga puna pasi që sipas tij e ka thyer rendin që ia kërkonte heshtjen dhe nënshtrimin.
Molliqaj ka theksuar se shembujt për disiplinim që i jep pushteti duhet t’i përgjigjemi me mësime që jep organizimi sindikal./21Media

Back to top button