Sistemi i hallkave elektronike pritet të lansohet në fund të këtij muaji

Gati një dekadë pas miratimit, Ligji për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, pritet të fillojë zbatimin. Avokuesit e të drejtave të njeriut vlerësojnë se në këtë mënyrë do të rritet siguria dhe do të parandalohen përsëritjet e rasteve të dhunës.
Fushata 16 ditët e aktivizimit kundër dhunës në bazë gjinore – që fillon më 25 nëntor – pritet që të sjell edhe lansimin e sistemit të hallkave elektronike.
Shuma prej 600 mijë eurosh për blerjen e byzylykëve ishte ndarë nga qeveria në prill të vitit të kaluar.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë se kontrata për blerjen e tyre është nënshkruar dhe se janë bërë “planifikimet për trajnimin e zyrtarëve përgjegjës”.
“Tashmë kontrata [për blerjen e hallkave elektronike] është nënshkruar, unë nuk mund të jap detaje të kontratës sepse nuk më lejohet duke qenë se është e klasifikuar, megjithatë kontrata është nënshkruar, trajnimi i zyrtarëve përgjegjës po planifikohet të bëhet, madje edhe për disa prej tyre tashmë janë caktuar datat se kur do të bëhen sepse është e rëndësishme që para lansimit të këtij sistemi të bëhet trajnimi i zyrtarëve që e kanë përgjegjësi mirëmbajtjen e këtij sistemi, por po ashtu edhe monitorimin e të njëjtit”, thotë Haxhiu.
Haxhiu shpreson që edhe Policia e Kosovës – si implementues të këtij ligji – të jenë të gatshëm për lansimin e sistemit për mbikëqyrjen elektronike.
“Ne planifikojmë që këtë sistem ta lansojmë në kuadër të 16 ditëve kundër dhunës në bazë gjinore dhe dhunës në familje që është 25 nëntori i këtij viti deri më 10 dhjetor, urojmë që Policia e Kosovës të jetë e gatshme ndonëse ne kemi qenë në vazhdimësi në komunikim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe janë zotuar se brenda këtyre ditëve do të lansohet ky sistem”, thotë ajo.
Moszbatimi i Ligjit për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, është shqetësues për institucionin e Avokatit të Popullit.
Naim Qelaj thotë se si pasojë e mosimplementimit të ligjit kanë ndodhur vrasjet e grave.
“Për ne padyshim edhe kjo është shumë shqetësim për arsye se rastet e mëvonshme që kanë ndodhur të vrasjes së grave si pasojë e dhunës në familje ndoshta do të mund të parandalohen sikur ky ligj të kishte qenë i zbatueshëm. Po e përmendi rastin e vrasjes në QKUK për të cilën ne do të dalim me një raport përfundimtar dhe na rezulton që ndaj të dyshuari, palës përgjegjëse, i cili është edhe i vetëvrarë në këtë rast ka qenë i lëshuar urdhri mbrojtës, por që policia në pamundësi të vendosjes së pajisjeve e ka pasur të pamundur t’i përcjell lëvizjet e tij dhe si rezultat ka ardhur deri tek pasoja e humbjes së jetës së gruas dhe fëmijës të pa lindur”, thotë ai.
Adelina Berisha nga Rrjeti të Grupit të Grave të Kosovës thotë, gjithashtu, se një ligj i tillë do të rriste sigurinë dhe do të ndikonte të mos përsëriten rastet e dhunës.
“Mendoj se kjo [hallkat elektronike] do ta rriste sigurinë dhe do të ndikonte që të mos ripërsëritën rastet e dhunës… Kemi pasur raste ku pikërisht për shkak se nuk ka pasur monitorim të duhur të ushtruesve të dhunës rastet janë përsëritur apo edhe kanë përfunduar me fatalitet. Në kontekstin e Kosovës e dimë që është pak problematike monitorimi, sepse ne kemi pasur raste kur viktimat nuk kanë ku të shkojnë dhe jetojnë në të njëjtën shtëpi ushtruesin e dhunës edhe pse janë me urdhër mbrojtje”, thotë Berisha.
Lidhur ne këtë temë, kp ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Brendshme por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Ligji për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, është në fuqi nga 1 korriku i vitit 2015.
Sipas këtij ligji, mbikëqyrja elektronike bëhet me vendim të gjykatës dhe realizohet përmes vendosjes së një pajisjeje të posaçme në trupin e personit./kp