Zv/Sekretari i NATO-s: KFOR-i i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti

Situata në Veri, Zv/Sekretari i NATO-s: KFOR-i i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti

Zëvendës-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, sonte ka bërë të ditur se ka folur me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak për situatën në Veri të Kosovës.
Ai ka shkruar në Twitter se si Beogradi ashtu edhe Prishtina duhet të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin.
Geoana ka shtuar se KFOR-i mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti.


Ndryshe, përfaqësuesit serbë në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës do të lënë detyrën. Kjo është vendosur në takimin e thirrur nga Lista Serbe mesditën e së shtunës në Zveçan.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Serbët përfaqësohen me një ministër në Qeverinë e Kosovës, dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës, me kryetarë komunash në ato qytete ku shumicë janë qytetarët serbë, si dhe në gjyqësor, polici. Të gjithë këta do të largohen nga institucionet e Kosovës./21Media

Back to top button