S’ka kuorum, dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi
(Lajm i përditësuar)
Ka dështuar mbledhja e Komisionit parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.
Ndonëse është shtyrë për 30 minuta mbledhja pasi ishte planifikuar të fillonte në orën 11:00, përsëri mungesa e deputetëve të mazhorancës bëri të mos krijohet kuorumi.
Kjo mbledhje e sotme u shty për nesër në orën 11:00. Në rend dite të kësaj mbledhje ishte miratimi i planit të performancës së ZRRE-së për vitin 2023 si dhe shqyrtimi i kërkesës së Bordit të AKP-së, për auditim të procesit të shitjeve direkte në AKP.
Kryetari i Komisionit, Ferat Shala tha se në mungesë të kuorumit takimi përfundon me kaq.
08:07 – Sot mblidhen tri komisione parlamentare
Sot gjatë ditës do të mblidhen disa komisione parlamentare.
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike do të mblidhet i pari dhe shqyrton raportin e auditimit të performancës “Projektet kapitale të operatorit të sistemit, transmisionit dhe tregut të energjisë elektrike të Kosovës 2015-2021.
Më poshtë mund të gjeni se cilat komisione do të mblidhen dhe çfarë do të shqyrtojnë.
11:00
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportin e auditimit të performancës “Projektet kapitale të operatorit të sistemit, transmisionit dhe tregut të energjisë elektrike të Kosovës (2015-2021)”. Të ftuar janë kryesuesi i Bordit të KOSST-it, Jeton Mehmeti, dhe kryeshefi ekzekutiv Evatar Zeqiri.
11:00
Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti miraton planin e performancës së ZRRE-së për vitin 2023 si dhe shqyrton kërkesën e Bordit të AKP-së, për auditim të procesit të shitjeve direkte në AKP.
13:00
Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje.