S’ka kuorum, nuk hidhet në votim rezoluta për adresimin e rritjes së tatimit në pronë

(Lajm i përditësuar)
Për shkak të mungesës së kuorumit në kuvend, nuk është hedhur në votim propozim rezoluta e LDK-së për adresimin e çështjes së rritjes së faturave të tatimit në pronë, e cila kishte në përbërje tri pika kryesore.
Pas shumë diskutimeve dhe debateve për këtë temë, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci tha se procesi i votimit të propozim rezolutës mbetet për seancën e radhës dhe dakordimit të Grupeve parlamentare.
“Ashtu siç u kuptua, këtë propozim rezolutë si pikë po e bartim për votim në seancën e radhës, dhe po e mbyllim këtë seancë. Për detaje të tjera mbetet të diskutojnë grupet parlamentare. Shihemi nesër në seancën solemne për Ditën e Pavarësisë”, theksoi ajo.
LDK, nëpërmjet rezolutës kërkoi që fillimisht Ministria e Financave të pezullojë rivlerësimin e pronave dhe faturat e tatimit në pronë për vitin 2023, të llogariten sipas vlerësimit paraprakë.
Murati-opozitës: Kur dal me një propozim që të zbritet një barrë tatimore ju thoni s’ka logjikë 
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se shumë shpejt do ta sjellin në Kuvend plotësim-ndryshimin e ligjit për tatimin në pronë që mundëson faljen deri në 100 euro për secilin tatimpagues.
“Shumë shpejt si ministri e Financave do ta sjellim projektligjin që synon përmirësimin e situatës për vitet e ardhshme të ndryshohet ligji ekzistues ndërsa për vitin aktual pra të mundësojë lehtësimin e barrës për qytetarët këtë e kemi thënë dhe nuk e kuptoj se pse është e nevojshme të ketë rezolutë kur si qeveri kemi dhënë zotimin tonë sa i përket kësaj teme”, tha ai.
E disa konstatime të deputetëve opozitar, Murati i quajti të pavërteta. Sipas tij e pavërteta e parë është se qeveria ka marr vendim të rritet tatimi në prona në vazhdimësi është proklamuar kjo gjë.
Ai tha se nuk ka vendim të qeverisë për këtë çështje, por është ligji i vitit 2018.
“Nuk ka vendim të qeverisë por është ligji i vitit 2018 që ka votuar legjislatura e asaj kohe e madje është një ligj që është hartuar në qeverisje LDK-PDK”, tha ai.
Murati tha se kur ai del me propozim të falje prej 100 euro për tatimpaguesit kjo nga opozita konsiderohet se nuk ka logjik.
“e pavërteta e tretë është pra pretendimi se ju keni hallin e qytetarëve kur është çështja për të ulur akcizën e naftës që të rritet marzha e fitimit për naftëtarë ju thoni se keni hallin e qytetarëve kur unë dal me një propozim parimisht të njëjtë që të zbritet një barrë tatimore për qytetarin dhe nuk ka përfitues, përfitues i vetëm është qytetari ju thoni se jo nuk është logjik falja apo zbritja e tatimit se kjo na qon në situata tjera, kur në fakt është po kjo opozitë që ka ardhur në vazhdimësi me propozime për të fal për të ul tatime apo për të fal borxhe të pandemisë“, tha ai.
Sipas tij fajin për mosinformim me kohë të qytetarëve e kanë komunat.
“Krejt çka ke ishte se informimi nuk është bërë me kohë, po pse nuk e kanë bërë komunat informimin me kohë megjithatë edhe se paskan bë informimin nuk qenkan të përgatitura qenka barrë e rënduar për qytetarët ne si MF si qeveri po ofrojmë mundësinë që përmes një ligji të ri të mundësojnë zbritjen e faturës tatimore për 100 euro e para për secilin tatimpagues dhe kjo efektivisht i mbulon 85% të tatimpaguesve të cilët nuk do të paguanin fare asgjë“, theksoi Murati.
E kërkesën e LDK që të pezullohet rivlerësimi i pronave nga ministri i Financave po konsideron si kërkesë nga e cila nuk përfitojnë shumica e qytetarëve.
E nga propozimi i tij për falje të 100 eurove sipas tij përfitojnë 95% e qytetarëve.
“Alternativa jonë është që çka ofron është që të për vitin aktual të lehtësohet barra për qytetarët ashtu siç po kërkohet ndërsa për vitin tjetër dhe ato pasuese të kemi ndryshim plotësimin e ligjit që skema të bëhet progresive”…Çka po kërkohet që të anulohet rivlerësimi nuk është se përfitojnë shumica e qytetarëve , sepse prapë shumica do të paguajnë tatim me propozimin në rezolutë…Propozimi jonë është që 95% e qytetarëve të paguajnë 100 euro ose më pak ose fare “, tha ai.
AAK me dy rekomandime për tejkalim të situatës për tatimin në pronë
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kërkuar që qeveria mos ta sjell faljen e borxheve si precedent, por komunat të marrin vendim vetë. Tahiri ka propozuar dy rekomandime për tejkalim të kësaj situate.
Tahiri theksoi se lajmi për rivlerësimin e tatimit në pronë ka qenë i vonuar por edhe i pakonsultuar me komunat.
“Lajmi ka qenë shumë i vonshëm i pakonsultuar dhe pa pjesëmarrjen e komunave…..Me këtë vendim ne e godasim funksionimin e pushtetit lokal dhe komunave dhe në të njëjtën kohë prapë e prekim autonominë e komunave në funksionim, ne mendojmë se janë dy rrugë me dal prej kësaj situate. Janë dy propozime që mendoj duhet trajtuar nëse hymë në eksperimentim të faljes së tatimit falja është precedent shumë i keq kur flasim për tatim unë po pajtohen se familjet për shkak të ekonomisë duhet me i trajtua por faljen si precedent iu lutem mos e sjellni në Kuvend. Rekomandimi ynë i parë është që tu mundësojmë komunave që ta ulin normën sipas kalkulimeve të tyre që mund ta organizojnë tatimin në normën 0.07% .. nëse ne iu mundësojmë me ul komunat normën 0.07 përmes Kuvendit Komunal atëherë ne e menjanonjë faljen si precedent”, tha ai.
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri kërkoi që sa më parë të diskutohet ligji për financa lokale.
“Çështja e dytë që vjen si rekomandim nga AAK lidhet drejtpërdrejt me një ligj shumë të rëndësishëm i cili ka qenë në agjendën legjislative vitin e kaluar dhe besoj se do të jetë edhe këtë vit dhe është ligji për financa lokale, i drafti që ka qenë dhe drafti që është diskutua në diskutime publike e rregullon në masë të madhe pjesën e financimit në komunat e ndoshta edhe këtu kishte mundur me u analizua ku kishte mundur me u rrit dhe analizua diçka që mos u afektua funksionimi”, tha ai.
Bajrami: Rezoluta e LDK-së, zgjidhje e mirë për qytetarët dhe komunat
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka konsideruar se rezoluta e propozuar nga kjo parti për adresimin e çështjes së rritjes së faturave të tatimit në pronë, është zgjidhja më e mirë e mundshme për qytetarët.
Sipas Bajramit, krejt çka po kërkohet është që faturat të gjenerohen në shumat e njëjta dhe mbi vlerat e vitetve të kaluara.
“Duke mos dashur fare që bëjmë politikë se është zgjidhja më e mirë e mundshme edhe për qytetarët, edhe për komunat. Kur kthehemi tek pika e parë që MF të pezulloj rivlerësimin e fundit të pronave në faturat e tatimit në pronë për vitin 2023 dhe të llogariten ato sipas viti paraprak ne e kemi parasysh se gjërat e tilla kanë ndodhur….ajo çka neve na shqetëson se falja e 100 eurove sipas propozimit të ministrit nuk e zgjidh problemin sepse kemi një vlerësim që shumica e qytetarëve të vendit nuk po pajtohen…Me vlerësimin e fundit vlerësohet disa herë më pak Marigona rezidencë sesa lagjja Tophane dhe disa shtëpi të vjetra atje. Andaj krejt çka po kërkohet është që faturat të gjenerohen në shumat e njëjta dhe mbi vlerat po sikur vitet e kaluara, ndërkohë që të gjitha çështjet të adresohen me ligjin e ri”, tha ajo.
Bajrami iu është kundërpërgjigjur deputetit të LVV-së, Armend Muja, i cili akuzoi se në vitin 2018, kur është bërë ligji për tatimin në pronë, nuk janë marrë parasysh amendamentet e propozuara nga LVV.
Sipas Bajrami, as partia aktuale në pushtet nuk po merr parasysh asnjë propozim të partive opozitare, ndonëse ato me këto institucione ka qeverisur plotë 21 vjet.
“Cilin propozim deri më tani Lëvizja Vetëvendosje që ka 51% të pushtet e ka marrë nga këto parti opozitare të cilat kanë udhëhequr me institucione përplotë 21 vite, ne sikur të mos kishim ditur me punuar, besoj që qytetarët përplotë 21 vite nuk na kishin votuar. Asnjëherë asnjë propozim i vetëm nuk është marrë parasysh ”, tha ajo.
Deputetja e LDK-së u shpreh se qeveria aktuale nuk e ka dëgjuar asnjë masë të tatimit progresiv, ndonëse e kanë në planin qeverisës.
Ajo shtoi se kryeekonomisti Hekuran Murati propozoi faljen e 100 eurove por kjo nuk zgjidh probleme.
“Ende nga niveli qendror ne nuk e kemi dëgjuar asnjë masë të tatimit progresiv ju e keni pjesë të programit tuaj tatimet progresive ju keni ardhur me parullat që do t’i luftoni oligarët e gjërat e tjera po ne nuk i kemi parë këto gjëra, ju paskeni prit që zotëri Abdixhiku me implementua programin tuaj të cilin ju sot në pushtet nuk po e implementoni si të tillë…çka bënë kryeekonomisti i LVV ministri i Financave thotë po ua fali 100 euro nuk ua zgjidh problemin me 100 euro që ua fal dikujt që tatimin në pronë ia ke bërë prej 300 në 1200 euro atij ia fal 100 euro por e ke dëmtuar me 700 të tjera“, tha Bajrami.

Back to top button