Kurti takon Begajn: Shqipëria i gëzohet sukseseve të Kosovës

(Lajm i përditësuar)
Në prag të 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Takimi filloi me falënderimin e kryeministrit Kurti për vizitën dhe për pjesëmarrjen e presidentit Begaj në kremten zyrtare të përvjetorit të Pavarësisë. Duke i uruar kryeministrit Kurti dhe popullit të Kosovës 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, presidenti Begaj u shpreh se Republika e Shqipërisë i gëzohet sukseseve të Kosovës dhe i qëndron pranë në synimet e saj.
Ata folëm për marrëdhëniet e afërta ndërmjet dy vendeve, bashkëpunimin e ngushtë por edhe për domosdoshmërinë e kohës për sa më shumë koordinim dhe bashkërendim.
15 vjet pas pavarësisë së Kosovës, Kosova dhe Shqipëria kanë gjithsej 171 marrëveshje, protokolle e memorandume në fusha si ajo e sigurisë, tregtisë, arsimit e kulturës. Vetëm në dy mbledhjet e fundit të dy qeverive janë nënshkruar 41 marrëveshje, zbatimi i të cilave ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, bizneseve e më gjerë dhe ka zgjidhur problematika të mbartura ndër vite.
Në këtë kontekst, Kurti dhe Begaj diskutuan për rëndësinë e zbatueshmërinë sa më lartë të marrëveshjeve të nënshkruara e prej të cilave përfitojnë para se gjithash e më së shumti qytetarët.
Çështje trajtimi ishin edhe zhvillimet politike në të dy vendet por edhe në rajon, sikurse edhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Zyra e kryeministrit përmes një komuniate për medie ka bërë të ditur se Kurti e falënderoi presidentin Begaj për interesimin, angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të tij për Republikën e Kosovës dhe institucionet e saj.​
Kurti takon presidentin Begaj
Ka nisur takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj.

Takimi po mbahet në objektin e Qeverisë, ndërsa gjatë ditës, Begajn e priti në takim edhe presidentja Vjosa Osmani.
Osmani ka thënë se Kosova po e kremton 15-vjetorin e shtetësisë në përballje me sfida, “por e vendosur për të ecur përpara në forcimin e shtetit dhe e përkushtuar në rrugëtimin euroatlantik”.
“Në këtë 15-vjetor të pavarësisë kujtojmë me respekt të gjithë ata që kontribuuan për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin, që nga arkitekti i shtetit të Kosovës, presidenti historik, dr.Ibrahim Rugova e deri te vajzat e djemtë e UÇK-së, të udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari, shumë nga të cilët ranë heroikisht për lirinë dhe Republikën”, ka theksuar Osmani./21Media

Back to top button