S’ka ndërprerje të mësimit pas ditës së zgjedhjeve, shkollat do të dezinfektohen para dhe pas votimit

2 min read

Po bëhen gati vendvotimet për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut. Ka filluar dezinfektimi i shkollave. Komisioni shtetëror i zgjedhjeve ka obliguar komunat që të bëjnë dezinfektimin e hapësirave para ditës së zgjedhjeve, por edhe pas mbylljes së vendvotimeve.

“Obligimet për dezinfektimin e objekteve konkretisht të shkollave ku do të kryhet votimi u takojnë vetë komunave për shkak se bëhet fjalë pikërisht për zgjedhje lokale dhe obligimi u mbetet atyre. Kanë për obligim të sigurojnë masa për mbrojtjen e shëndetit të këshillave zgjedhorë, të votuesve pastaj sigurisht më rëndësishme për nxënësit të cilët ditën e ardhshme do të duhet të vijojnë mësimin nëpër shkolla”, tha Admir Shabani, zëdhënës i KShZ-së.

Por, a është e sigurt që fëmijët të kthehen në bankat shkollore menjëherë një ditë pas zgjedhjeve? Ministria e Arsimit informoi se të gjitha hapësirat ku do të ketë votime do të dezinfektohen, ndërsa nxënësit do të vijojnë procesin mësimor të hënën.

“Të hënën, gjegjësisht një ditë pas zgjedhjeve lokale nuk do të ndërpritet procesi mësimor. Komunat e kanë për detyrë t’i dezinfektojnë të gjitha hapësirat e shkollave dhe tu sigurohet nxënësve vend i sigurt për ndjekje të mësimit”, thanë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, raporton TV21.

Të dielën gjithashtu, edhe në Kosovë do të mbahen zgjedhje lokale. Ministria e Arsimit në Kosovë ka vendosur që të hënën, një ditë pas zgjedhjeve, në shkollat, të cilat kanë qenë qendra të votimit, mësimi do të mbahet online, kurse në shkollat ,të cilat nuk janë mbajtur votimet për zgjedhje, mësimi do të zhvillohet me prezencë fizike./21Media