Skandali i AQP-së me tenderin për të blerë produkte serbe, reagon kryeministri
Shteti kërkon të blejë prodhimet e Serbisë “Plazma”, “Eurokrem” e “Argetë”
Agjencia Qendrore e Prokurimit po kërkon të blejë prodhime të Serbisë për t’i furnizuar disa institucione, përkundër që Qeveria e Kosovës i ka vendosur taksën doganore prej 100% mallrave të importuara nga Serbia.
Kjo Agjenci, që bën prokurime për të gjitha institucionet, në emërtimin e produkteve që synon t’i blejë ka vendosur marka të prodhuesve të caktuar, shkruan kallxo.com.
Vendosja e markave të prodhueseve është e ndaluar me nenin 28 të Ligjit të Prokurimit Publik.
Kjo Agjenci duke u thirrur në kushte të jashtëzakonshme për t’i përshkruar produktet që synon t’i blejë i ka referuar me artikull specifik të prodhuesve serb.
Në tenderin, që është i ndarë në 9 llote dhe që pritet të kushtojë rreth 23.5 milionë euro, tek specifikat teknike janë edhe artikujt: “EuroKrem”, “Plazma”, “Vegetë”, “Pop-Kek”, apo pashtetën e pulës “Argeta”.

Disa prej produkteve të referuara janë të prodhuara në Serbi, ndaj të cilave qeveria e Kosovës ka vendosur taksën 100%.
Pika 7 e nenit 28 të Ligjit të Prokurimit Publik e ndalon që Autoritetet Kontraktuese në specifikimet teknike t’i referohen një artikulli ose burimi të veçantë.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke thënë se kanë kontaktuar institucionet përgjegjëse dhe janë në pritje të qartësimit të problemit dhe identifikimit të personave përgjegjës, ndaj të cilëve, siç ka theksuar menjëherë do të fillohet procedura në përputhje me ligjet në fuqi.