Skepticizëm për liberalizim të vizave edhe pas zgjedhjeve në Francë

Skepticizmi për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës po vazhdon edhe pas zgjedhjeve në Francë dhe fitores për mandatin e dytë të presidentit, Emanuel Macron.
Zgjedhjet e serishme parlamentare në Francë në muajin qershor dhe hezitimi i vendeve të tjera skeptike të BE-së pritet të pamundësojë largimin e regjimit të vizave nën presidencën franceze të Këshillit të Evropës.
Megjithëse në partinë në pushtet e shohin si pozitive fitoren e Macronit, njohësit e proceseve integruese të BE-së janë në mëdyshje për lëvizjet pozitive të tij sa i përket liberalizimit të vizave.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se nuk mund të jetë përjashtim i projektit të Macron për avancimin e projektit të BE-së.
Megjithatë, ajo nuk pranon të flas për afatet kohore për liberalizimin e vizave, por thotë se shanset më të mëdha dhe reale për liberalizim të vizave janë me Macronin president se sa kundërkandidaten e tij.
Pavarësisht fitores së presidentit Macron, drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha ka thënë se nuk pret ndonjë përparim thelbësor për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Shasha thotë se edhe me vendet e tjera skeptike për liberalizim të vizave nuk ka pasur përparim nga ana e palës kosovare.
Ndërkohë, theksoi se kërkesat e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për liberalizim të vizave po hasin në vesh të shurdhër.
”Sa i përket vendeve skeptike nuk shoh ndonjë përparim të marrëdhënieve tona me vendet mosnjohëse brenda BE-së, nuk ka pasur ndonjë lëvizje për të konfirmuar dhe interpretuar se ka një avancim në marrëdhëniet tona. Ndërsa sa i përket Parlamentit Evropian ka kërkesa të vazhdueshme të tyre për liberalizim të vizave sikur më herët. Të njëjtat edhe sot janë duke hasur në vesh të shurdhër”, shton ai.
Kosova ka vite që ka plotësuar gjitha kriteret për liberalizim të vizave, mirëpo tash e sa vite, Këshilli i Ministrave të BE-së po heziton të jep dritën e gjelbër për një proces të tillë. Krahas Francës, skeptike për liberalizim të vizave ka qenë edhe shteti i Holandës./kp

Back to top button