Smakaj: Do e shfrytëzoj afatin kohor, s’i kam të gjitha materialet e nevojshme për t’u deklaruar sot
Bashkim Smakaj gjatë paraqitjes së parë në Hagë tha se nuk do ta bëjë deklarimin e tij sot për fajësinë apo pafajësinë e tij.
Ai tha se do ta ushtojë këtë të drejtë brenda afatit të përcaktuar me ligj dhe pasi t’i sheh të gjitha materiale shtesë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Materialet të cilat i kam pranuar, i kemi shqyrtuar por pas konsultimit që pata tani, vendos që të shfrytëzojë periudhën kohore prej 30 ditësh që të marrë materiale shtesë dhe të shoh se nuk i kam të gjitha materialet e nevojshme për të dhënë deklarimin sot”, tha Smakaj.
Gjatë seancës, u bë e ditur se që seanca duhej të mbahej brenda 30 ditëve duke filluar nga dita e sotme që është 8 dhjetori 2024. Si rrjedhojë i takon 7 janari 2024 për mbajtjen e kësaj seance, periudhë kjo të bie brenda pushimeve të gjykatës.
“Nëse është e mundshme, ju lutem të kini parasysh edhe planifikimin tim. Data 7 janar po ashtu është pushim për mua. Nëse është e mundur ta bëjmë këtë seancë përpara krishtlindjeve”, tha avokati i Smakajt, Bas Martenes.
Ndërsa, prokurori Joshua Hafetz tha se janë të gatshëm në çdo kohë për ta pasur këtë seancë.
Si rrjedhojë, gjyqtarja tha se seanca për vetëdeklarimin do të planifikohet brenda afateve.
Gjithashtu u parashtrua që gjuha e punës të jetë anglishtja për këtë çështje gjyqësore.
Ndërsa, konferenca për ecurinë e çështjes u diskutua që të jetë 17 dhjetori 2024, duke filluar nga ora 14:00.
Avokati i Smakajt tha se synon që të jetë i pranishëm fizikisht në këtë seancë bashkë me klientin e tij. Po ashtu edhe prokurori tha se do të jenë fizikisht të pranishëm në sallën e gjyqit.
Smakaj paraqitet në Hagë, kërkon konsultë me avokatin e tij për deklarim lidhur me akuzat
Gjatë paraqitjes së parë Bashkim Smakaj i cili po akuzohet për tentim të personit zyrtar dhe mosbindje ndaj gjykatës, ai kërkoi që të konsultohet me avokatin e tij kur iu kërkua që të shfrytëzojë të drejtën e tij për t’u deklaruar apo mos u deklaruar lidhur me fajësinë apo pafajësinë e tij.
Si rrjedhojë seanca shkoi në pushim për dhjetë minuta në mënyrë që të konsultohet me avokatin e tij, Bas Martenes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Vlen të theksohet se Smakaj tha se i kupton të gjitha pikat e akuzës për të cilat ngarkohet dhe ai u njoftua me të drejtat e tij në këtë proces gjyqësor.
Ndryshe, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK të premten më 6 dhjetor në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë e cila pritet të mbahet të hënën me 9 nëntor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.