Somali, 100 viktima si pasojë e sulmit me bombë

Presidenti i Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud ka thënë se të paktën 100 njerëz kanë vdekur të shtunën në dy sulme ku në dy vetura shpërtheu bombë.
Ai shtoi se numri mund të rritet në sulmin më vdekjeprurës të vendit që nga shpërthimi i një kamioni me bombë në të njëjtin vend pesë vjet më parë, duke vrarë më shumë se 500 njerëz.
Presidenti Mohamud, në vendin e shpërthimeve në Mogadishu, u tha gazetarëve se rreth 300 njerëz të tjerë u lënduan.
“Ne kërkojmë nga partnerët tanë ndërkombëtarë që të dërgojnë mjekët e tyre këtu pasi ne nuk mund t’i dërgojmë të gjitha të lënduarit jashtë vendit për trajtim”, tha ai.
Grupi ekstremist al-Shabaab, një aleat i Al-Kaidës, i cili shpesh synon kryeqytetin dhe kontrollon pjesë të mëdha të vendit, mori përgjegjësinë, duke thënë se kishte në shënjestër ministrinë e arsimit.
Ai pretendoi se ministria ishte një “bazë armike” që merr mbështetje nga vendet jomuslimane dhe “është e përkushtuar për të hequr fëmijët somalezë nga besimi islam”./21Media 

Back to top button