Sonte jepet premiera e shfaqjes ”Kuartet” në TKK

Sonte në orën 21:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të jepet premiera e shfaqjes ”Kuartet” e autorit Heiner Muller.
Drama ”Kuartet” e autorit gjerman, Heiner Müller përshkon konfigurimin dual të dy personazheve antagonistë që përmes një dramaturgjie të hapur dhe lojës së dyfishtë shpalosin historitë dhe kujtimet e tyre përgjatë relacionit kohor: Sallon borgjez para Revolucionit Francez / Bunker pas Luftës së III-të Botërore.
Bazuar në romanin ”Les Liaisons dangereuses”, të autorit Laclos, ”Kuartet” trajton historinë e konfliktit të Merteuil dhe ish të dashurit të saj Valmont, të cilët reflektojnë mbi kohën e humbur, kujtesën, marrëdhëniet historike, trupin, pushtetin, seksualitetin, që tashmë janë ngurtësuar në mite pakohë. Përmes gjuhës së ashpër e retorike, drama dhe loja e tyre shndërrohet në një tribunal të kujtimeve që përshfaqin një realitet të fragmentuar e kompleks.
Ndërrimi i vazhdueshëm i roleve dhe ”zhanreve”, tematizon edhe rolin e teatrit si medium e material që këto struktura të tejkalohen. Në ketë konstelacion shfaqja ka për bazë kujtesën e aktorit që përshkon udhëtimin e vet nëpër përvojën skenike. Ky refleksion i mundëson publikut të përballet me një teatër të papërcaktuar, në të cilin provojnë të shkrihen disa plane e dimensione mediale-teatrore.
Shfaqja është me regji të Alban Beqiraj, ku interpretojnë: Afrim Kasapolli, Aurita Agushi, Ermal Sadiku, Agon Bala.
Repriza e parë e shfaqjes do të jepet nesër më 6 prill./21Media

Back to top button