Haxhiu për akuzat në KEK: VV nuk do të ndikojë kurrë në procese punësimi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur fillimin e hetimeve nga Prokuroria Themelore në Prishtinë mbi punësimet e reja në një konkurs të KEK-ut, duke thënë se çdo pretendim për parregullsi të mundshme duhet të merr epilogun nga drejtësia.
LDK-ja sot akuzoi partinë në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje për punësim në baza partiake në KEK, pas së cilës Prokuroria njoftoi për nisjen e hetimeve.
Haxhiu ka thënë se akuzat e tilla kanë më tepër për qëllim ta dëmtojnë Vetëvendosjen se sa që diçka e tillë qëndron.
“Vetëvendosje nuk ka ndikuar dhe nuk do të ndikojë asnjëherë në procese të tilla. Vetëm personat që e meritojnë t’i marrin ato pozita do t’i marrin. Asnjëherë kriter për punësime s’do të merret anëtarësia partiake. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të trajtohen të barabartë“, ka shtuar Haxhiu në RTK.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK ) sot ka reaguar lidhur me raportimet në media se disa prej të pranuarve janë të lidhur me partinë në pushtet – Lëvizjen Vetëvendosje. KEK përmes një komunikate kanë thënë se janë duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike “rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit”.

Back to top button