Sot në Sofje nënshkruhet protokolli bilateral Maqedoni-Bullgari

Ministrat e Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, Teodora Gençovska dhe Bujar Osmani, sot do të nënshkruajnë një protokoll të posaçëm dypalësh mes dy vendeve, pasi do të mbahet një takim i komisionit ndërqeveritar për të finalizuar këtë dokument.
Dokumenti do të jetë pjesë e kornizës negociuese të Shkupit për anëtarësimin në BE dhe përmban masa për kurrikulat e historisë, gjuhës së urrejtjes dhe kulturës.
Me 68 vota “për”, Kuvendi i Maqedonisë dje i dha dritën jeshile Qeverisë që ta miratojë propozimin francez.
Vendimi kaloi me votat e LSDM-së në pushtet dhe partive shqiptare nga pushteti dhe opozita.
Me këtë procedurë, pasi Shkupi dhe Sofja nënshkruajnë një protokoll dypalësh, mund të miratohet korniza negociuese e Maqedonisë me BE-në.
Megjithatë, në praktikë, konferenca e parë ndërqeveritare nuk do të jetë fillimi i vërtetë i negociatave mes Shkupit dhe Brukselit.
Kjo do të ndodhë vetëm kur autoritetet në Shkup të ndryshojnë Kushtetutën dhe të përfshijnë bullgarët në baza të barabarta me kombësitë e tjera, shkruajnë mediat bullgare.
Gjatë negociatave të ardhshme, Komisioni Evropian do të monitorojë nëse çështjet e fqinjësisë së mirë respektohen dhe Bullgaria do të mund të vërë veton në çdo kohë./TV21

Back to top button