Sot përballja me Skocinë, përcakton të ardhmen e kuqezinjve
Shqipëria luan ndaj Skocisë në ndeshjen e fundit në grupe të Nations League
Mundësitë për kualifikim tashmë janë kompromentuar, do të duhet një mrekulli nga ato që ndodhin rrallë në futboll.
Një fitore 4-0 e kuqezinjve në “Loro Boriçi”, e ndërthurur me një sukses minimal të skocezëve ndaj Izraelit tri ditë më pas, do të thoshte një mrekulli për kuqezinjtë. Presidenti Duka ishte i qartë. “Nëse fitojmë dhe e mbyllim grupin me pikë të barabarta me rivalët, nuk mund të konsiderohet një dështim”.
E lexuar mes rreshtave, një fitore i lejon trajnerit të tentojë kualifikimin në Europian edhe nëpërmjet kualifikueseve.
Çfarë ndodh me një humbje? Vendi i fundit dhe rrëzimi nga Liga C do të linte pak vend për përkufizimin e kësaj aventure. Gjithsesi nuk luhet për Panuccin, Shqipëria luan fatin e saj. Luhet për të kthyer besimin dhe prestigjin, me epokën “post De Biasi” që po rezulton vërtet e vështirë.
Shqipëria ka fituar vetëm një ndeshje në 7 takime të luajtura gjatë vitit 2018.
Këtë herë nuk do të jenë Migjen Basha dhe Elseid Hysaj, krijuesi i lojës dhe një lider i mbrojtjes dhe i gjithë skuadrës.