Dështon për të 29-ën herë konstituimi i Kuvendit

(Lajm i përditësuar)
Haxhiu: Opozita s’mund të ndërhyjë në të drejtën e VV-së për të propozuar kandidatin
Kandidatja e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka folur pas dështimit të 29 të seancës konstituive.
“Ka pasur gjashtë përpjekje për votim të hapur, nuk ka rezultuar i suksesshëm. Nuk i përket vetëm VV-së, të kontribuojë në konstituimin e Kuvendit, ne kemi marrë përsipër të kontribuojmë në këtë pikë. Nuk është përgjegjësi vetëm e jona. Jemi përgjigjur disa herë për këtë, të drejtën për të propozuar e ka VV-ja, si subjekt i parë. Askush nuk mund të ndërhyjë në të drejtën e subjektit politik, të drejta kushtetuese janë mbi prerferencat individuale”, tha Haxhiu.
Mustafa: LDK do të publikojë 15-pikëshin e qeverisë së unitetit
Deputeti i LDK-së Besian Mustafa tha se gjatë kësaj jave do të publikojnë 15 pikat e agjendës së qeverisë së unitetit që kanë propozuar si LDK.
“Deri tash LDK ka ofruar një propozim në formë publike për një qeveri të unitetit, gjatë kësaj jave do të publikojmë një 15 pikësh të agjendës së kësaj qeverie të unitetit”, tha Mustafa.
Sipas tij refuzimi i idesë për një qeveri të unitetit pa ndonjë zgjidhje tjetër fatkeqësisht është insistim në vazhdimin e kësaj bllokade 48 orëshe, dhe kjo do e çonte vendin në zgjedhje të parakohshme të reja parlamentare
“E kjo është gjëja e fundit që i duhet Kosovës. Një qeveri e unitetit me një agjendë të caktuar me afat të caktuar është ajo që LDK ka ofruar si zgjidhje, dhe është fatkeqësi që LVV e ka refuzuar apriori”, u shpreh ai.
“S’mundet Kushtetuesja me na zgjedh këtë situatë”, Krasniqi: Kriza është politike, zgjidhja duhet të jetë politike
Kryetari i PDK-së njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Memli Krasniqi tha se zgjidhja për situatën në Kuvend duhet të jetë politike.
“I ka rreth 40 opsione zotëri Kurti krejt çka duhet është të tërhiqet nga propozimi.”, tha ai.
“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese PDK ka treguar respekt edhe zbatueshmëri të atyre vendimeve edhe kur na kanë pëlqy e s’na kanë pëlqy, por përkundër faktit që ne e kemi mbështetur edhe atë lëndë nuk na ofron zgjidhje, ne s’kemi krizë juridike kushtetuese kjo është krizë politike, nuk mundet Gjykata Kushtetuese me na zgjidhe këtë situatë,”, tha ai./21Media
Dështon për të 29-ën herë konstituimi i Kuvendit
Ka dështuar për të 29-ën herë konstiutimi i Kuvendit, as sot nuk pati korum për votimin e komisionit për votim të fshetë për kandidaten për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhku
“Hera e parë e fundit që ti mua më pengon”, përplaset Koci me Zemajn
Avokati Arianit Koci është përplasur me deputetin e LDK-së, Armend Zemaj në hyrje të Kuvendit të Kosovës.
Koci i cili është duke protestuar si shenjë revolte ndaj moskonstituimit të Kuvendit, iu drejtua Zemajt duke i kërkuar të gjejnë zgjidhje.
“Të lutem gjejë zgjidhje”, tha avokati.
Zemaj iu përgjigj duke i kërkuar të mos i pengoi.
“Mos më pengo të lutem shko i ki puntë e tua, a po të pengoi unë në punë tua”, u shpreh Zemaj.
Koci iu kthye duke i thënë se nuk ka asgjë personale me të.
Por deputeti i LDK-së u tregua më i ashpër.
“Hera e parë e fundit që ti mua më pengon…Çka bënë me tjerët është punë e jotja”, i tha Zemaj, Kocit.
Avokati tentoi të vendoste një shirit të kuq për të ndaluar hyrjen e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se “skam me ju lan me hi”.
Vendosja e shirtit nuk iu lejua nga zyrtarët policorë.
“Shesin përralla”, Koci proteston sërish para Kuvendit: Askush prej Kosovës nuk interesohet për të arrestuarin në Serbi
Avokati Arianit Koci, edhe sot ka protestuar para nisjes së seancës së 29-të të Kuvendit.
Ai i ka bërë thirrje deputetëve që të merren vesh, madje përmendin dhe arrestimin e ish policit të Njësisë Speciale të Kosovës në Serbi.
“ Të mërkurën bëhet hera e 30-të që këta nuk po munden me bo …ish polici i Njësisë Speciale është i arrestuam, kush prej shtetit të Kosovës nuk interesohet , deri në 2:00 të natës kam qenë në Serbi këta na shesin përralla, kërkoj që direkt me u përfshi edhe presidentja se edh atë e bëj përgjegjëse”:, tha Koci./21Media
Sot përpjekja e 29-të për konstituimin e Kuvendit
Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sërish sot me fillim nga ora 11:00 në Kuvendin e Kosovës në përpjekjen e 29-të për konstituimin e Legjislaturës së nëntë.
Ndryshe të shtunën kryesuesi Avni Dehari ftoi edhe njëherë subjektet politike parlamentare që nuk i kanë propozuar deputetët për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë, që ta bëjnë këtë, por sërish nuk pati propozime për anëtarë të këtij komisioni.
Për përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, votuan 48 deputetë, ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?