Sot takimi i PSD-së me partitë opozitare

Partia Socialdemokrate ka ftuar në takim partitë opozitare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të sindikatave, që bashkërisht ta kundërshtojnë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Takimi pritet të mbahet sot në orën 13:00.
Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-së, ka thënë se janë të shqetësuar me vendimin e ZRRE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike.
“Pas disa javësh kundërshtimesh të propozimit të parë, aksione simbolike, konferenca e protestë të fuqishme, qeveria nuk reflektoi. Vendimi i ri është pothuajse i njëjtë me të vjetrin. Përsëri nuk preken bizneset, dhe përsëri buxheti i republikës dëmtohet me 100 milion euro dhe poashtu për një pjesë të madhe të qytetarëve rritet fatura në fund të muajit. Në këtë krizë energjetike, të gjithë po humbim, vetëm KEDS dhe KESCO po vazhdon fitimin”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.
Ftesës së PSD-së i është përgjigjur pozitivisht Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Për portalin rtv21.tv zëdhënësi i kësaj partie, Lulëzim Blaka ka thënë se në këtë takim AAK-ja do të përfaqësohet nga nënkryetari.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri në Click të RTV21, ka thënë “takime kemi pasur edhe para proteste, takime do ketë në komunikimin me partitë tjera nuk e kemi ndërprerë asnjëherë, pse jo takime do ketë”.
Ndërsa, zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu, ka thënë për rtv21.tv se kjo parti është e bindur që obligimi i tyre është ”që përmes veprimeve tona të ndikojmë në anulimin e vendimit për rritje të çmimit të energjisë, përtej tendencave për protagonizma personalë”./21Media

Back to top button