Sotltenberg porosit të shtensionohet situata në veri: NATO vazhdon të luajë rol në sigurinë e Kosovës

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens StoStoltenberg deklaroi se sulmet e tilla si ato ndaj trupave të KFOR-it në Zveçan  janë të papranueshme.

“NATO dënon fuqishëm sulmet e fundit të paprovokuara ndaj trupave të KFOR-it në veri, në të cilat u lënduan afro 40 paqeruajtës. Sulme të tilla janë të papranueshme dhe duhet të ndalen. Kemi dërguar në Kosovë edhe rreth 500 ushtarë tjerë nga rezerva operative për Ballkanin Perëndimor dhe kemi vënë në gatishmëri një batalion shtesë, që edhe ata të dislokohen, sipas nevojës. Këto janë masa që të sigurohemi se KFOR-i ka forcën dhe aftësinë që i duhet për të përmbushur mandatin e tij. Misioni ynë KFOR do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’u përkujdesur për një mjedis të sigurtë dhe për lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të veprojmë në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin tonë të Kombeve të Bashkuara, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, tha Stoltenberg në një intervistë për të përditshmen  kroate Pobjeda.

Po ashtu porositi që Kosova dhe Serbia të ndërmarrin urgjentisht hapat për uljen e tensioneve.

“Dhuna po e kthen prapa Kosovën dhe gjithë rajonin, duke vënë në pikëpyetje aspiratat euroatlantike. Si Prishtina ashtu edhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të shtensionuar situatën, të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialogun e ndihmuar nga BE-ja, që është rruga e vetme për paqe të qëndrueshme. NATO do të vazhdojë të luajë rolin e saj për të mbështetur sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin e gjithë Ballkanit Perëndimor”, tha Stoltenberg./21Media

Back to top button