SPAK: Kjo qeveri ka për mision shkatërrimin e sindikatave
Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës thotë se është e shqetësuar lidhur mos procedimin e pagave për të punësuarit në arsim nga ana e Qeverisë së Kosovës. Këtë veprim e konsiderojnë të rrezikshëm dhe tendencë për frikësim, shantazh dhe diskriminim të drejtpërdrejt në raport me të punësuarit e tjerë.
“Ndalja e pagës është shkelje ligjore tanimë e thënë nga të gjithë, por s’mjafton kjo, e fatkeqësisht shkelëse e ligjit bëhet vetë Qeveria e cila në rrethana normale do duhej të jetë zbatuese e drejtë dhe transparente e ligjeve, por siç shihet kjo qeveri ka për mision shkatërrimin e sindikatave dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me demokracinë dhe të menduarit ndryshe, kjo tendencë është e rrezikshme dhe duhet distancuar nga kjo formë e të menduarit dhe vepruarit nga kjo qeveri”, thuhet në reagimin e tyre.
Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës kërkoi nga Qeveria e Kosovës që sa më parë t’i procesojë pagat e sektorit të arsimit dhe njëkohësisht kërkoi që urgjentisht t’i diskutojë me sindikatat kërkesat të cilat sipas tyre janë të drejta dhe ligjore.
“Sindikata e Pavarur e Administratës të Kosovës, qëndron fuqishëm përkrah SBASHK-ut dhe i siguron që ashtu siç ishim bashkë përgjatë rrugëtimit tonë 35 ditorë, prapë do të jemi deri në realizimin e kërkesave tona të drejta e legjitime”, thuhet tutje në reagim.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka ekzekutuar pagat e shtatorit për punonjësit që ishin pjesë e grevës në sektorin publik./21Media