Spanja nuk do të mbështesë kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në BE

Spanja nuk do ta mbështesë kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në BE. Kështu bëri të ditur të martën Sekretari i Spanjës për BE-në, Pascual Navarro.
“Spanja nuk e njeh Kosovën, prandaj do të votojë kundër çdo vendimi procedural dhe dhënies së statusit kandidat të Kosovës”, tha Navarro gjatë paraqitjes së tij para Komisionit të Përzier për BE, të mbajtur në Senat, raportojnë mediat spanjolle, përcjell portali rtv21.tv
Sekretari i Shtetit shpjegoi se pasi Kosova të ketë dorëzuar zyrtarisht kërkesën e saj për anëtarësim në Presidencën aktuale, në këtë rast Republikën Çeke, duhet të merret një “vendim procedural”, të cilin supozohet se Suedia do ta miratojë që nga janari si Presidencë e re. Gjëja normale, vazhdoi ai, është që të kërkohet mendimi i Komisionit Evropian dhe më pas të debatohet për këtë çështje në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme dhe në fund të vendosin liderët evropianë në Këshillin Evropian.
“Qeveria nuk do të mbështesë kandidaturën në rrethanat aktuale dhe ky qëndrim nuk ka ndryshuar”, theksoi Sekretari i Shtetit. Spanja është një nga pesë vendet e BE-së, së bashku me Greqinë, Qipron, Rumaninë dhe Sllovakinë, që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt 2008.
Në përgjithësi, Navarro ka theksuar se Qeveria “ka qëndrim konstruktiv” në lidhje me Ballkanin Perëndimor, mbështet dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe ndërmjetësimin e BE-së./21Media

Back to top button