Specialja ua vazhdon paraburgimin Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Gjykata Speciale ua ka vazhduar paraburgimin Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Lajmi u bë i ditur përmes njoftimit të publikuar në faqen zyrtare te Dhomave të Specializuara.
“Pas urdhrit të tij drejtuar Policisë së Kosovës, më 8 tetor, si dhe parashtrimeve nga Policia e Kosovës dhe nga palët, Gjykatësi i Procedurës Paraprake në çështjen Thaçi dhe të tjerët urdhëroi mbajtjen e mëtejshme në paraburgim të Veselit, Krasniqit dhe Selimit”, thuhet në njoftim.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty./21Media  

Back to top button