Stano pohon se Beogradi ka tërhequr letrën: S’ka përparim pa zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se Kosova dhe Serbia e kanë për detyrë që ta zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit.

“Pse, kur dhe nëse Serbia ka bërë diçka i takon autoriteteve serbe që të adresojnë këtë çështje, por unë do të përsëris se cili është qëndrimi i qartë dhe aktual i BE-së që nga dita e parë e arritjes së marrëveshjes në Ohër. Kjo është një marrëveshje ligjore e obligueshme dhe të dyja palët kanë detyrë që ta zbatojnë atë. Kjo është e shënuar në një prej pikave të marrëveshjes që thotë se ato bëhen pjesë e rrugës së tyre të anëtarësimit në BE. Është ligjërisht e obligueshme, është pajtuar në Ohër dhe të dyja palët duhet të punojnë pa asnjë shtyrje në zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, deklaroi Stano.

Para pak ditësh kur emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak qëndroi në Kosovë dhe konfirmoi se se Serbia ka tërhequr letrën që kryeministrja e atëhershme, Ana Bërnabiq, ia kishte dërguar dhjetorin Bashkimit Evropian.

Një gjë të tillë e pohoi edhe Stano duke thënë se nuk ka çfarë të shtoi më shumë nga deklarata që ka dhënë Lajçak lidhur me këtë çështje.

“Nuk do të përsëris atë që ka thënë përfaqësuesi i posaçëm i BE-së por mund të ritheksoj vetëm atë që është shënuar në një numër të qëndrimeve, vërejtjeve, komenteve të BE-së, përfshirë edhe vendet anëtare dhe është shënuar edhe në konkluzat e Këshillit të BE-së se edhe Kosova edhe Serbia kanë për detyrë të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit. Nëse nuk e bëjnë, nuk do të kenë mundësi që të ecin në rrugën e BE-së. Është shumë e qartë dhe për ne është një dokument përfundimtar dhe obligues sipas ligjit ndërkombëtar për të dyja edhe Kosovën edhe Serbinë… ajo që është e nevojshme tani është zbatimi sepse nëse nuk ka zbatim atëherë nuk do të ketë përparim në procesin e anëtarësimit”, u shpreh Stano./21Media

 

 

 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button