OKB përkujton Holokaustin

OKB përkujton Holokaustin

Në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, u organizuan ngjarje të shumta në shënim të 75 vjetorit të çlirimit të kampit të Aushvicit, me ç’rast u përkujtuan ngjarjet e errëta të asaj epoke, Holokausti, kur u shfarosën rreth dy të tretat të hebrenjve të Evropës, apo rreth 6 milionë njerëz.

Fillimisht, zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Stephane Dujarric, mbajti një konferencë për gazetarë.

Në këtë rast, korrespondenti i RTV21, Halil Mula shtroi një pyetje: Fatkeqësisht gjatë gjithë këtyre viteve kemi parë shumë ngjarje të tjera të errëta, gjenocidet, vrasjet masive, spastrimet etnike, në Ruanda, Bosnjë, Kosovë, Siri dhe madje jemi përballur me mohimin e atyre krimeve nga autorët e atyre krimeve dhe përkrahësit e tyre. Çfarë mund të bëhet për të ndaluar këtë çmenduri, dhe jo vetëm të jemi reaktiv e vrojtues?

Zëdhënësi Dujarric u përgjigj “para se gjithash kurrë mos të harrojmë, kurrë mos të bëhemi indiferent dhe injorant si dhe gjithnjë ta ngrisim zërin, kudo dhe kurdo ndodhin akte e viktima të tilla”.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, në sallën qendrore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, u mbajt një ceremoni përkujtimore, të cilën e hapi Rabin Artur Shnajer – një i mbijetuar i Holokaustit. Rabini, që është aktivist i të drejtave të njeriut dhe të besimit fetar, kujtoi ato kohëra të vështira si dhe u lut për më shumë paqe në botë, shkruan rtv21.tv

Para 75 vjetësh, më 18 janar, Ushtria e Kuqe më ka çliruar në Budapest të Hungarisë. Shumica e hebrenjve hungarezë, 425 mijë, përfshirë edhe gjyshërit e mi, u dërguan për në Aushvic. Në atë varr! U shfarosën në furrat e Aushvicit. Sot, ne duam t’i nderojmë, poashtu që t’i përkujtojmë të vdekurit tanë, gjashtë milionë burra, gra e fëmijë hebrenj. Por edhe t’i përkujtojmë çlirimtarët që e larguan tiraninë naziste nga Evropa. Le t’i mbjellim farërat për paqe dhe harmoni.

Le ta bëjmë një zotim, të qëndrojmë të bashkuar kundër urrejtjes, të qëndrojmë të bashkuar kundër antisemitizmit, të qëndrojmë të bashkuar kundër fobive dhe racizmit si dhe ndaj çdo forme të fanatizmit”, tha i mbijetuari.

Në fjalën e tij, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, apeloi për paqe, respekt e solidaritet në mes të popujve, racave e religjioneve. Ai dënoi antisemitizmin kudo ndodh, dhe tha se brengoset për sulmet ndaj minoriteteve fetare.

Sulmet ndaj minoriteteve fetare janë një brengë e veçantë. Rrotull botës kemi parë hebrenj të vrarë në sinagoga, gurët e varreve të tyre të dëmtuara dhe me sfastika. Kemi parë të krishterë të vrarë gjatë lutjeve e kisha të djegura. Si dhe myslimanë të vrarë në xhami, përderisa objektet e tyre fetare vandalizohen. Është detyra jonë që të vazhdojmë të kërkojmë, të mësojmë e të ri-mësojmë nga mësimi i Holokaustit, në mënyrë që ai të mos përsëritet kurrë. Dhe, mësimi më i rëndësishëm është se Holokausti nuk ishte një ngjarje e kryer në një moment të historisë nga njerëzit të sëmurë. Por, ka qenë një kombinim i urrejtjes mijëvjeçare, që nga Perandoria Romake e deri te programet e mesjetës. Vetë vendi im, Portugalia, ka kryer një veprim mizorie dhe çmendurie duke e përzënë popullatën e saj hebreje në shekullin e 15-të”, tha Guterres.

Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, i cili tha se është e vështirë të kuptohet se si raca njerëzore është e aftë të kryejë veprime të kësaj natyre. Ai tha se gjeneratat e sotme janë me fat në aspekt historik, sepse mësojnë nga rrëfimet e atyre që e përjetuan dhe i mbijetuan Holokaustit. Ambasadori Danin thekson se Holokausti nuk është dhe nuk duhet të jetë një ngjarje përkujtuese që i takon vetëm Izraelit apo vetëm hebrenjve, por, është një ngjarje që i takon të gjithë botës, për të marrë mësim e për të mos ndodhur më, ajo që ka ndodhur para 75 vjetësh.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kombet e Bashkuara, Christoph Heusgen, e dënoi antisemitizmin. Ai tha se shteti i tij është i angazhuar që ta luftojë antisemitizmin jo vetëm në vendin e tij, por edhe në botë.

Ambasadori kujtoi se kancelarja Angela Merkel kur ka vizituar kampin Aushvic, ka thënë se ndjehet e turpëruar nga krimet që janë kryer atje. Por, thotë ambasadori, “edhe unë personalisht turpërohem, që rri këtu para jush, e duke e ditur se ishin gjermanët, njerëzit e vendit tim, ata që ishin përgjegjësit e shkatërrimit të civilizimit, si dhe për vrasjet sistematike dhe të dhunshme”./21Media