Studentët presin dështimin e nismës për ndërrimin e emrit të UP-së

Tash e një kohë është propozuar ndërrimi i emrit të Universitetit “Hasan Prishtina” nga rektori i Universitetit të Prishtinës për shkak të disa ndryshimeve statutore. Këtë po e kundërshtojnë studentët, pasi konsiderojnë se ndërrimi i emrit të universitetit është i padrejtë. Ata presin që të dështojë një nismë e tillë, dhe që emri i Hasan Prishtinës të jetë përjetësisht ai që e identifikon UP-në.

Me kërkesën që të mos largohet emri i Hasan Prishtinës nga Universiteti i Prishtinës, studentët e UP-së para një muaji kanë organizuar edhe peticionin “Mos ma prek Hasan Prishtinën”, i cili ka mbledhur rreth 3 mijë nënshkrime.

E derisa ende nuk është marrë një vendim, këta të rinj vazhdojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre lidhur me këtë nismë.

Për Fatlinda Lokajn, studente e Fakultetit Teknik, vetë ideja për ndërrimin e emrit të UP-së është e padrejtë.

”Nuk mendoj që është vendim i drejtë. Është mirë të vazhdohet me këtë emër që është tash. Nuk e di pse është marrë ky vendim, po mendohet që është për shkak të fondeve, nuk është vendim i drejtë për shkak se janë mbledhur shumë peticione kundër këtij vendimi”, është shprehur ajo për KosovaPress.

Ndërrimin e emrit nuk e përkrah as Riad Lahu, student në Fakultetin Ekonomik. Sipas tij, emri “Hasan Prishtina” ka qenë për vite dhe duhet të vazhdojë të mbetet.

“Sa për emrin e fakultetit ‘Hasan Prishtina’, besoj që është një vendim jo i mirë për emrin e fakultetit tonë dhe për famën e fakultetit tonë, nuk besoj që e përkrah asnjë ndërrimin e emrit të fakultetit”, tha ai.

Se Universiteti i Prishtinës mban emrin e denjë të Hasan Prishtinës, tha edhe studenti i Fakultetit Teknik, Edon Gashi.

“Sa i përket nismës për ndërrimin e emrit të Universitetit është një nismë e gabuar pavarësisht arsyetimeve ata çka e kanë nis këtë iniciativë mirëpo mendoj që nuk kanë me arrit atë qëllim sepse është në të mirën tonë kur na e përfaqësojmë Fakultetin me emrin tonë në rangun botëror me një emër të denjë që na përfaqëson gjithë shqiptarëve, me sukseset qe i arrijmë. Unë personalisht nuk preferoj të ndërrohet emri i universitetit”, tha ai.

Të njëjtin mendim ndan edhe profesori Alajdin Alishahu.

“Nuk mendoj se duhet të ndërrohet. Këta kanë disa arsyeje se qenka një Fakultet në Mitrovicë me të njëjtin emër ‘Hasan Prishtina’, tash bëhen dy. Nuk duhet me e ndërru emrin, por të vazhdohet me të. Ai ka luftuar”, tha Alishahu.

Për ta kundërshtuar ndërrimin e emrit të UP-së është organizuar një aksion simbolik nga Fondacioni “Hasan Prishtina” dhe shoqata të tjera. E në lidhje me këtë, stërnipi i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina, ka thënë se rektori i UP-së, Qerim Qerimi, ka filluar reformat, por në mënyrë të mbrapsht.

Ndryshe, që nga viti 2012 Universiteti i Prishtinës mban emrin e heroit kombëtar Hasan Prishtina.

Back to top button