Studentët synojnë të rrisin përfshirjen e të rinjve në ndërmarrësi

7.2 % e të rinjve me biznese

Zhvillimi i bizneseve tek të rinjtë paraqet një rëndësi të veçantë, si në drejtim të krijimit të vendeve të reja të punës, po ashtu edhe në drejtim të zhvillimit të ekonomisë së Kosovës.

Nxitja e krijimit të bizneseve të reja krijon shpresë natyrisht për forcimin e kapaciteteve të të rinjve dhe nxitë pavarësimin e tyre ekonomike karshi shtetit dhe familjeve të tyre, shkruan rtv21.tv

Në emisionin “Start Up” të RTV21, këtë javë u diskutua për ndërmarrësin në vendin tonë, ku ishin të ftuar disa të rinj, studenti i Fakultetit Ekonomik në UP, Kastriot Gashi, Arta Rrustemi studente e UBT-së, Egzon Zariqi nga Fakulteti Ekonomik i UP-së, Armend Alshiqi nga Kolegji ‘Universum’, Arbnor Grabanica nga Kolegji AAB  dhe Arlind Guta, student në UBT.

Gashi tha se në Kosovë çdoherë është konsideruar që ka ekzistuar fryma ndërmarrëse dhe shpirti ndërmarrës i të rinjve.

“ Duke e pasur parasysh edhe faktin që në Kosovë shkalla e papunësisë është shumë e lartë në veçanti për moshën 18 deri 24 vjeçare, andaj ndërmarrësin e konsideroj si mundësinë më të mirë edhe e vetmja mundësi që mundemi me arrite rezultate, në mënyrë që kjo të ndikojë edhe në uljen e papunësisë”, tha Gashi, duke shtuar se në vendet evropiane ndërmarrësia konsiderohet si baza e zhvillimit ekonomik, andaj edhe Kosova duhet të bëjë përpjekje shumë më të mëdha  për të lehtësuar të bërit biznes në vend.

“Aktualisht ka shpresë se ka filluar të punohet në këtë drejtim. Ka hapa pozitiv të cilët, në qofshin ato nga institucionet shtetërore, një rol shumë të rëndësishëm luan edhe komiteti i donatorëve, e në veçanti një punë shumë të mirë është duke e bërë Qendra Inovative e Kosovës, që mbështet ide”, ka shtuar Gashi.

Rrustemi e cila ka lindur dhe është rritur në Zvicër tregon se ka ardhur nga atje që të zhvillojë biznes në Kosovë.

“Ka tre vjet që jam kthyer në Kosovë edhe pak a shumë ka qenë pse e kom marr këtë vendim, arsyeja ka qenë se në Kosovë mundesh me zhvillua karrierën sipas qejfit tënd, se jemi në fillim, jemi në zhvillim  edhe karriera jote nuk është e parashikuar, por mundesh me qenë inovativ në atë se si mundesh me krijua karrierën edhe besoj se kemi resurse, si fuqia punëtore kemi një rini që ka qejf të punojë”, tha Rrustemi

Ndërkaq, Zariqi tha se kohët e fundit ndërmarrësia ka pasur  rritje të vazhdueshme.

“ Është shumë e rëndësishme që kohët e fundit kanë filluar Start Up që kanë të bëjnë me softuerë teknologjikë. Është e rëndësishme që si fakt shqetësues për këtë sferë është se mosha e ndërmarrësive e moshës së të rinjve është shumë e vogël. Këtu duhet të bëhen përparime të ndryshme për me ngritë këtë sferë”, tha ai, duke shtuar se vetëm 7.2 % e të rinjve kanë biznese.

Nga ana e tij, Alshiqi tha se duke pasur parasysh gjendjen ekonomike në vend është shumë e nevojshme nisja e Start Up bizneseve.

“Ndërmarrësia në Kosovë mendoj që ka shumë potencial vetëm se duhet ideja dhe vullneti. Duhet të largohemi nga ajo fryma komuniste e cila ka mbizotëruar në Kosovë dhe të fillojmë me një frymë të re inovative”, tha Alshiqi.

Sipas tij, institucionet dhe organizatat e ndryshme po mbështesin të rinjtë, por vetëm nevojitet vullnet dhe dëshirë për të nisur biznes.

Mendim të një kishte edhe Grabanica  i cili tha se Qeveria po krijon një klimë të mirë të të bërit biznes.

“Nëpërmjet granteve dhe donacioneve të ndryshme po i ndihmon të rinjtë që të vazhdojnë të krijojnë karrierën e tyre dhe të punojnë për vendin e tyre”, tha Grabanica.

Duke marr parasysh se Kosova është një vend i ri në zhvillim dhe ndërmarrësia ka marrë një hov të madh, tha Guta.

Sipas tij, struktura gjeografike Kosovës i mundëson që të ketë efiçiencë më të madhe dhe drejtime të reja.

Studentët theksuan se në vend ka shumë trajnime dhe punëtori që ndihmojnë studentët të ngritin vetëdijesimin për projekte invovative, por sipas tyre mungon informimi për këto aktivitete. Ata vlerësojnë se është e nevojshme të organizohen projekte dhe kampanja për informimin e të rinjve mbi rëndësinë e ndërmarrësisë.

“Ndërmarrësia është një kulturë në vete edhe përmban tiparet e kulturës siç janë guximi për të rrezikuar, kreativiteti puna ekipore dhe këto komponentë krijohen që nga fëmijëria e hershme. Andaj është një problem që e ka Kosova që pjesëmarrja e fëmijëve, sistemet arsimore parashkollore. Në vendet e Bashkimit Evropian kjo pjesëmarrje është deri 70% e të rinjve marrin pjesë, në sistemin parashkollor arsimor, kurse në Kosovë kjo përqindje është 10-12%   ”, theksoi Gashi.

Ai tregoi se Bashkimi Evropian i ka propozuar Kosovës që të inkurajojë nxitjen e të rinjve të marrin pjesë në sistemin arsimor parashkollor në mënyrë që në kopsht fëmija të fillojë të krijoj karakterin e punës ekipore. /21Media

 

Back to top button